Kredia e dhënë për sektorin privat u rrit me 15.8% në tremujorin e katërt të 2024-ës

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Banka e Shqipërisë bëri të ditur se mjedisi financiar i favorshëm dhe kërkesa e lartë kanë mbështetur rritjen e shpejtë të kredisë gjatë vitit 2024.
Sipas BSH-së, kredia e dhënë për sektorin privat u rrit me 15.8% në tremujorin e katërt, duke e çuar mesataren vjetore të rritjes së kredisë në 14.4%.
Zgjerimi i kredisë vijon të ketë një bazë të gjerë, duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe të familjeve, si për investime ashtu edhe për konsum e kapital qarkullues. Në të njëjtën kohë, portofoli i kredisë vijon të ketë një cilësi të mirë sikundër dëshmohet nga nivelet e ulëta të treguesit të kredisë me probleme dhe një strukturë valutore të orientuar drejt lekut.
Sektori bankar disbursoi 47,8 miliardë lekë kredi të reja për ekonominë në muajin dhjetor 2024, që përfaqëson nivelin më të lartë të kredisë mujore të dhënë nga bankat. /j.p/