E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë bankare, sa të ulëta

Ritmi vjetor i rritjes së kreditimit mbetet i ulët në terma historikë. Ecuria e ngadaltë e kredisë kushtëzohet nga një ambient me prime të larta rreziku, i materializuar në kushte të shtrënguara kreditimi, dhe nga pasiguria e agjentëve ekonomikë për të ardhmen, e materializuar në kërkesë të ulët për kredi të sektorit privat

Nga Ardian Fullani*

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Në mbledhjen e tij të datës 24 shkurt 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, me projeksionet e tyre për të ardhmen, si dhe pasi vlerësoi balancën e pritshme të rreziqeve, në përfundim të diskutimeve Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind.

***

Ecuria e ekonomisë botërore tregon për vazhdimësinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara dhe të atyre në zhvillim kanë përjetuar rritje ekonomike gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009.

Rritja e aktivitetit tregtar botëror, zhvillimet e qeta në tregjet financiare, si dhe përmirësimi i indekseve të besimit, reflektojnë dhe njëkohësisht induktojnë pritje më optimiste për të ardhmen. Në veçanti, stabiliteti dhe përmirësimi progresiv i bilanceve të sistemit financiar janë shenja inkurajuese për një mbështetje më të madhe të aktivitetit ekonomik. Përmirësimi i ekonomisë botërore është shoqëruar me tendenca në rritje të normës së inflacionit, kryesisht si pasojë e gjallërimit të kërkesës dhe rritjes së çmimeve të lëndëve bazë.

Gjithsesi, shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve në nivel botëror parashikohet të ndihmojë në kontrollin e presioneve inflacioniste në periudhën afatmesme. Vëmendja kryesore e politikë-bërësve do të vazhdojë të mbetet e përqendruar në brishtësinë e rritjes ekonomike gjatë vitit 2010. Ky faktor do të kushtëzojë vazhdimësinë e stimujve monetarë dhe fiskalë gjatë kësaj periudhe, ndonëse në nivele më të moderuara.

Duke iu kthyer zhvillimeve në ekonominë vendase, informacioni më i fundit i disponueshëm sugjeron për një ngadalësim të mëtejshëm të kërkesës së brendshme gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009.

Investimet private vlerësohen të kontraktuara gjatë vitit 2009, të diktuara nga ngadalësimi i kërkesës së brendshme dhe të huaj, nga norma e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve, nga niveli i ulët i besimit të bizneseve si dhe nga kushtet e shtrënguara të kreditimit. Gjithashtu, treguesit e besimit të konsumatorit, ecuria e shitjeve me pakicë dhe ajo e importeve të mallrave të konsumit, sinjalizojnë për një ngadalësim të mëtejshëm të konsumit privat në tremujorin e katërt të vitit 2009. Ky ngadalësim reflekton një rritje më të moderuar të të ardhurave të disponueshme, një mbështetje më të ulët të sistemit bankar për kreditë konsumatore dhe hipotekare si dhe një pasiguri të rritur të publikut për të ardhmen. Pritjet e konsumatorëve për të ardhmen sugjerojnë se kontributi i konsumit privat në rritjen ekonomike do të jetë në nivele të ulëta edhe gjatë dy tremujorëve të ardhshëm. Aktiviteti ekonomik në vend është mbështetur nga një stimul i lartë fiskal gjatë vitit 2009, ndërkohë që projeksionet buxhetore sugjerojnë se ky stimul do të jetë më i reduktuar për vitin 2010. Kërkesa e jashtme e ekonomisë ka shënuar zhvillime pozitive gjatë tremujorit të katërt të vitit, duke u karakterizuar nga një nivel më i ulët i deficitit tregtar gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, duke u nisur nga pesha relativisht e vogël e saj në përcaktimin e PBB-së, ndikimi i këtij korrektimi në rritjen ekonomike gjatë vitit 2010 parashikohet të jetë i moderuar.

Inflacioni vjetor në muajin janar shënoi vlerën 3.6 për qind ndërsa norma mesatare vjetore e inflacionit u rrit në 2.4 për qind. Rritja vjetore e çmimeve të konsumit në muajin janar ishte brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin, duke qëndruar në pjesën e sipërme të intervalit të tolerancës. Tendenca rritëse e inflacionit gjatë këtij muaji ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, nën ndikimin e tendencës rritëse të çmimeve të tyre në tregjet botërore dhe të efektit të vonuar të nënçmimit të kursit të këmbimit. Kontributi i grupeve të tjera të shportës së çmimeve të konsumit në inflacion ishte i ulët, por gjithsesi në kahun rritës. Faktorizmi i rritjes së fundit të çmimit të energjisë elektrike në inflacionin e muajit shkurt, pritet të japë një ndikim prej rreth 0.5 pikësh përqindjeje në rritjen e normës së inflacionit vjetor.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e ekonomisë shqiptare ka prodhuar një ambient me presione të balancuara inflacioniste. Ky zhvillim konfirmohet edhe nga ecuria e inflacionit bazë dhe të atij të produkteve të patregtueshme, normat respektive të të cilëve ishin përkatësisht 1.4 dhe 1.7 për qind në muajin janar.

Këto tendenca dëshmojnë se presionet inlflacioniste të ushtruara nga kërkesa e brendshme janë të dobëta, ndërkohë që rritja e inflacionit gjatë muajve të fundit është diktuar kryesisht nga faktorë të kahut të ofertës.

Banka e Shqipërisë gjykon se veprimi i këtyre faktorëve do të jetë i përkohshëm, dhe se presioni i tyre në inflacion pritet të vijë gradualisht në rënie gjatë vitit 2010. Ky lexim i situatës duket se ndahet edhe nga agjentët kryesorë ekonomikë, pritjet inflacioniste të të cilëve mbeten të ankoruara pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë të kujdesshme monetare gjatë kësaj periudhe. Në thelb të kësaj politike ka qenë rritja e stimulit monetar në ekonomi, pa cënuar stabilitetin makroekonomik dhe duke mbajtur të stabilizuara pritjet e agjentëve ekonomikë. Në veçanti, vendimet tona kanë synuar krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme dhe për lehtësimin e lëvizjes së ekonomisë shqiptare drejt ekuilibrave më të qëndrueshëm ekonomikë dhe financiarë. Kjo filozofi do të udhëheqë vendimmarrjen tonë edhe në periudhën e ardhshme.

Të dhënat e fundit për pozicionin e jashtëm të Shqipërisë mbulojnë vetëm tregtinë e jashtme. Analiza e tyre tregon për një ngushtim vjetor të deficitit tregtar me rreth 17 për qind gjatë muajit dhjetor. Ecuria e eksporteve në mallra gjatë këtij muaji shfaqi rritje prej 27 për qind në terma vjetorë, ndërkohë që importet kanë shënuar rënie vjetore prej 10 për qind. Raporti relativ i mbulimit të importeve nga eksportet u rrit në 23 për qind. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, pozicioni jashtëm i ekonomisë shqiptare mbetet shqetësues, për sa kohë që ai karakterizohet nga një nivel i lartë i deficitit të llogarisë korrente. Zhvendosja e këtij deficiti në terma më të qëndrueshëm duhet të jetë një prioritet i politikave ekonomike të vendit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Ashtu si e kemi theksuar në vazhdimësi, politika fiskale ka patur karakter kundërciklik gjatë vitit 2009, duke forcuar tendencën e iniciuar gjatë periudhës 2007-2008. Deficiti buxhetor gjatë vitit 2009 arriti nivelin 79.9 miliardë lekë, duke reflektuar njëkohësisht rritjen e përshpejtuar të shpenzimeve buxhetore dhe ngadalësimin e të ardhurave fiskale. Shpenzimet buxhetore kanë shënuar një rritje prej 8 për qind gjatë vitit 2009, ndërkohë që të ardhurat u rritën me vetëm 2.7 për qind, të ndikuara edhe nga ngadalësimi gradual i aktivitetit ekonomik.

Banka e Shqipërisë gjykon se, në periudhën e ardhshme, politika fiskale duhet të faktorizojë me prioritet marrjen e masave të duhu

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›