Kreditë e buta për strehim – Në Maliq 20 kuota, e interesuar vetëm një familje

Vetëm një familje në bashkinë e Maliqit ka kërkuar të përfitojë nga programi i subvencionimit të kredisë për blerje banese.
Bëhet fjalë për njërin prej programeve të strehimit që u ofron mundësinë familjeve të reja të marrin një kredi të butë me interes 3% për blerjen e një banese, ndërsa pjesa tjetër e interesit subvencionohet nga shteti.
Sipas autoriteteve vendore duket se interesi i qytetarëve nuk ka qenë i madh për të përfituar nga ky program strehimi.
“Është një kredi e butë me 3 për qind, që i vjen në ndihmë sidomos familjeve të reja për të blerë një banesë në territorin e bashkisë Maliq. Aktualisht kemi rreth 20 kuota për të trajtuar këto familje,” tha Ledion Mullalli, përgjegjës i zyrës së strehimit në Bashkinë Maliq.
Sipas kryebashkiakut Gëzim Topçiu, ka një numër të madh familjesh të reja në bashkinë e Maliqit të cilat mund të përfitojnë nga ky program, por duket se ato nuk e kanë informacionin për ekzistencën e kësaj mundësie.
“Një shtëpi, që ta përfitosh me kushte favorizuese, me këtë program që jep qeveria, edhe me përqindje shumë të ulët, do të ishte shumë mirë për familjet e reja, por edhe për familjet e tjera. Nuk janë pak në territorin e bashkisë, por ndoshta kanë një mungesë informacioni,” tha z. Topçiu.
Pranë Bashkisë së Maliqit qytetarët mund të marrin të gjitha informacionet e duhura për dokumentacionin dhe procedurat që ndiqen për të përfituar nga ky program strehimi.
Një tjetër program strehimi, i cili ka interes të lartë nga qytetarët e Maliqit, është përmirësimi i kushteve të strehimit, ku çdo vit përfitojnë 40 deri në 50 familje.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/