Kreditë e këqija, Fullani bën gati 4 skenarë për 2011
Përkeqësimi i treguesit të kredive të këqija në sektorin bankar, e ka çuar Bankën e Shqipërisë në hartimin e një skeme të re parashikimi, që ka në themel të tij katër skenarë, të cilat marrin në konsideratë të gjitha situatat nga optimistja ekstreme tek pesimistja ekstreme. Skenari i parë vlerësohet si skenar bazë, ndërsa tre skenarët e tjerë konsiderohen si skenarë rreziku me një probabilitet të ulët realizimi. Llogaritja e masës së përkeqësimit të kredive për secilin skenar mundëson edhe vlerësimin e nevojave për kapital shtesë, në rast se norma e mjaftueshmërisë së kapitalit do të binte nën nivelin minimal të lejuar prej 12%, në çdo rast me supozimin se bankat nuk do të korrigjojnë nevojën për kapital rregullator në periudhat e stresuara. Skenari i parë bazë, i cili prezanton një situatë të përafërt me aktualen, tregon se bazuar në zhvillimet makroekonomike, mesatarja e raportit të kredive me probleme gjatë vitit 2011 vlerësohet 15.2%. Ndërkohë, në fund të vitit 2011, me supozimin se bankat nuk e kanë korrigjuar nevojën për kapital rregullator në periudhat e stresuara, nevoja për kapital shtesë shkon në masën 250 milionë lekë ose 1.1% e kapitalit rregullator aktual. Në rast se, ndodh skenari i dytë, i cili supozon një rritje më të ulët të tepricës së kredisë, krahasuar me skenarin bazë, në fund të gjashtëmujorit të parë 2011 raporti i kredive me probleme arrin në 15.8% dhe në fund të vitit 2011 në 17.1%. Në këtë rast, në fund të vitit 2011, me supozimin se bankat nuk e kanë korrigjuar nevojën për kapital rregullator në periudhat e stresuara, do të nevojitej një kapital shtesë në masën 1.6 miliardë lekë ose 1.9% e kapitalit rregullator aktual. Në rast se ndodh skenari 3, i cili përmbledh një rritje më të ulët të tepricës së kredisë dhe nënçmim të monedhës vendase me 10%, raporti i kredive me probleme do të arrinte mesatarisht në rreth 23.6%. Nevoja për kapital rregullator në fund të vitit 2011 do të rritej në 9.5 miliardë lekë ose 10.6% e kapitalit rregullator aktual, me supozimin se bankat nuk e kanë korrigjuar nevojën për kapital rregullator në periudhat e stresuara. Në rastin e skenarit 4, i cili supozon rritje më të ngadaltë të kredisë se skenari bazë shoqëruar më një nënçmim prej 20% të monedhës vendase, raporti i kredive me probleme ndaj tepricës së kredisë do të shënonte mesatarisht 29.7%. Në këtë rast, me supozimin se bankat nuk e kanë korrigjuar nevojën për kapital rregullator në periudhat e stresuara, nevoja për kapital rregullator në fund të vitit 2011 do të ishte në masën 21.3 miliardë lekë, që përbën 23.7% të kapitalit rregullator aktual të sistemit bankar. Në përfundim Banka e Shqipërisë arsyeton se, sektori bankar, në tërësi, mbetet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të ndryshme. Megjithatë, ndjeshmëria e bankave individuale ndaj këtyre goditjeve është rritur. Për këtë arsye, bankat individuale jo vetëm që duhet të vlerësojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj skenarëve të ngjashëm, por nxiten të veprojnë në drejtim të forcimit në vijueshmëri të gjendjes së tyre të kapitalit dhe kontrollit sa më të mirë të rreziqeve të veprimtarisë.
Ecuria e kredisë me probleme sipas katër skenarëve
Skenari 1
Tregon se, bazuar në zhvillimet makroekonomike, mesatarja e raportit të kredive me probleme gjatë vitit 2011 vlerësohet 15.2%.
Skenari 2
Tregon se, në fund të gjashtëmujorit të parë 2011 raporti i kredive me probleme arrin në 15.8% dhe në fund të vitit 2011 në 17.1%.
Skenari 3
Tregon se, me një nënçmim të monedhës vendase me 10%, raporti i kredive me probleme do të arrinte mesatarisht në rreth 23.6% në fund të 2011.
Skenari 4
Tregon se, më një nënçmim prej 20% të monedhës vendase, raporti i kredive me probleme ndaj tepricës së kredisë do të shënonte mesatarisht 29.7% në fund të 2011.
Afati i depozitave në banka, shqiptarët i lënë për një muaj
Pjesa më e madhe e depozitave në sistemin bankar gjatë vitit që shkoi janë vendosur me afat maturimi vetëm një muaj. Kjo tendencë është thelluar gjatë vitit që shkoi. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat e reja të pranuara nga sektori bankar në euro, në gjashtë muajt e fundit të vitit 2010, ishin 4.2 miliardë euro, duke qenë rreth 16.2% më të larta në krahasim me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009. Në lidhje me strukturën e maturimit të depozitave të reja në monedhën europiane, vërehet se depozitat me afat maturimi 1-mujor vazhdojnë të dominojnë depozitat e reja në euro, pavarësisht se shënohet rritje në depozitat e reja me maturim 6 dhe 12-mujor. Norma mesatare e interesit për depozitat e reja në euro ishte 2.16% në gjashtë muajt e fundit të vitit 2010, kundrejt 2.25% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Depozitat e reja në usd të pranuara nga sektori bankar, në gjashtë muajt e fundit të vitit 2010, ishin 643.2 milionë usd, duke qenë rreth 17.1% më të larta se ato në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009. Depozitat me afat maturimi deri në 3 muaj vazhdojnë të përbëjnë thuajse 80% të totalit të depozitave në këtë monedhë. Për sa i takon strukturës së maturimit të depozitave të reja në lekë, në dhjetor të vitit 2010 vërehet rënie me rreth 7.7 pikë përqindje në peshën e depozitave të reja me maturim 3-mujor, në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2009, dhe evidentohet një rritje në depozitat e reja me maturim 1-mujor me rreth 11.6 pikë përqindjeje. Depozitat e reja në monedhën vendase ka treguar rritje gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2010. Kështu, deri në muajin dhjetor 2010, u pranuan 369 miliardë lekë depozita të reja në lekë ose rreth 36% më shumë se depozitat e reja të pranuara në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009. Vlen të theksohet fakti që kjo rritje ka ardhur në një kohë kur normat e interesit për depozitat në lekë kanë pësuar rënie. Kështu, norma mesatare e interesit për depozitat e reja në lekë, ka qenë 5.16% në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2010, në krahasim me 5.57% gjatë së njëjtës periudhë vitin e kaluar. Pranimet e reja të depozitave dhe të llogarive rrjedhëse në lekë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2010 kanë pasqyruar përgjithësisht ecurinë e normave të interesit. Kështu, vlera më e madhe e depozitave të reja përkon me normën më të lartë të interesit për periudhën.