E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë e këqija,bizneset shumë probleme me bankat

17/09/2009  Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë analizon gjendjen e sistemit bankar

Bizneset kanë më tepër probleme me kthimin e kredive të marra në banka. Në krahasim me individët, të dhënat e Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare të sistemit bankar tregojnë mungesën e likuiditetit të bizneseve. “Bizneset shfaqen më problematike me kredi me probleme rreth 10.1 për qind të totali të portofolit të kredive. Ndërkohë, ky tregues për individët përllogaritet rreth 7.3 për qind”, - theksohet në analizën e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për gjendjen e sistemit bankar në fund të tremujorit të dytë të vitit 2009.

Analiza

Sipas analizës të të dhënave, si rezultat i rritjes së shpejtë të kredive me probleme në 5.3 miliardë lekë, në kushtet kur portofoli i kredive shfaq rritje modeste (+1.05 për qind), treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit arriti 8.73 për qind, nga 7.55 për qind në fund të muajit mars të këtij viti. Gjithashtu, ekspertët theksuan se cilësia e portofolit të kredisë sipas monedhave, ndryshe nga zhvillimet e tremujorit të parë të vitit, dallon përkeqësimin më të shpejtë të portofolit në monedhë të huaj, duke tejkaluar nivelin për lekun dhe duke e çuar treguesin në 8.84 për qind nga 8.5 për qind për kredinë në lekë. “Analiza e cilësisë së kredisë sipas degëve të ekonomisë dallon sektorët e “industrisë përpunuese” dhe të “tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë”, veçanërisht për shkak cilësisë së dobët të portofolit të kredisë dhënë këtyre sektorëve dhe peshës së konsiderueshme të tyre në ekonomi. Rezultati neto i sistemit bankar për tremujorin e dytë të vitit 2009, raportohet rreth 385 milionë lekë apo 40 për qind më shumë se tremujori i parë i vitit”, - thanë ekspertët. Totali i aktive të sistemit bankar përllogaritet në fund të tremujorit të dytë të vitit në nivelin e rreth 832 miliardë lekëve. Ndërkaq, kredia në valutë ka rënë me rreth 2.75 miliardë lekë ose me 0.9 për qind si rrjedhojë e rënies së kredisë në euro në masën rreth 19 milionë euro, apo rreth 2.5 miliardë lekë, ndërkohë që kredia në dollarë u rrit rreth 1.4 milionë USD, ose rreth 130 milionë lekë. Kredia në lekë u rrit me rreth 7.1 miliardë lekë ose me 6.2 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›