E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesat sociale pengohen nga shtëpitë në legalizim

17/09/2009  Bashkia: Presim që Këshilli Bashkiak të sistemojë familjet

Me një kredi të butë nga KE do të ndërtohen 96 apartamente

ELBASAN-Kur gjithçka është gati për fillimin e punimeve për 96 apartamenteve me kredi të butë që do të përdoren nga bashkia si banesa me qira të ulët për familjet në nevojë, 9 shtëpi në truallin e ndërtimit pengojnë për shkak se janë në proces legalizimi. Shtëpitë janë kryesisht të komunitetit rom dhe janë ndërtuar pa leje në truallin që është planifikuar për ndërtim pallatesh nga institucioni vendor, por këto objekte tashmë janë në proces legalizimi dhe askush nuk mund t’i prekë. Kjo ka bërë që të shtyhet për disa muaj fillimi i ndërtimit të 4 pallateve me nga 24 apartamente që do të shërbejnë për familjet e varfra dhe që nuk kanë mundësi të paguajnë një qira të lartë në tregun e lirë. Pritet që Bashkia ta paraqesë si material në Këshillin Bashkiak problemin e pengesës së krijuar për ndërtimin e objekteve. Kështu pritet që në mbledhjen që do të zhvillohet pas disa ditësh këshilltarët të vendosin nëse duhet t’i falin 9 apartamente për personat që kanë shtëpitë mbi truallin e ndërtimit apo jo. Bashkia Elbasan ka marrë hua një fond të konsiderueshëm prej 1.2 milionë eurosh nga Banka e Komunitetit Evropian në formën e kredisë pa interes që do të shlyet nga enti lokal për një periudhë kohe. Ndërkohë bashkia duke ndërtuar pallatet e reja me paratë që do të mbledhë do të fillojë shlyerjen e këtyre parave. Por qëllimi i këtyre apartamenteve nuk është fitimi, por sistemimi i shumë familjeve që sot e kanë të pamundur të përballojnë koston e një qiraje të lartë. Kështu prioritet për t’u strehuar në banesat sociale, të cilat do të jenë pronë e bashkisë janë çiftet e reja, të moshuarit, nënat e vetmuara si dhe familjet që jetojnë me të ardhura nën koston e jetës dhe që e kanë të pamundur të përballojnë pagesën e shtëpisë. Sigurisht të gjithë personat që do të strehohen duhet të mos kenë në pronësi të tyre shtëpi apo apartamente. Ndërkohë Elbasani ka aplikuar për ndërtimin e apartamenteve me kredi pa interes, por aktualisht nuk ka asnjë konfirmim për përfshirjen e këtij qyteti me shumë probleme sociale sidomos për sa i përket strehimit. Në Elbasan numërohen rreth 3 mijë familje të pastreha që regjistrojnë të regjistruara dhe që kanë aplikuar për të përfituar nga skemat shtetërore të strehimit. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›