Kremlini: Trupat e NATO-s në Ukrainë përbëjnë kërcënim për Rusinë

Moska hodhi sot poshtë praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë, edhe pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Kievin. “Ne do ta konsideronim si kërcënim për veten tonë, praninë e forcave ndërkombëtare, apo të çdo force të huaj, ose të forcave të NATO-s në tokën ukrainase, pranë kufirit tonë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në Vladivostok, sipas agjencisë ruse Interfax.
Peskov tha se NATO e sheh Rusinë si armik dhe kjo shprehet qartë në dokumentet e saj. “Kjo është e rrezikshme për vendin tonë”, theksoi ai. Sa i përket diskutimeve mbi garancitë e sigurisë, ato nuk mund të jenë vetëm për Ukrainën, tha zëdhënësi, duke shtuar se edhe Rusia ka nevojë për garanci për sigurinë e saj.
Peskov theksoi se lufta kundër Ukrainës, e cila ka zgjatur më shumë se tre vjet e gjysmë, ka rrënjët e saj edhe në zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë e Rusisë. “Siguria e Ukrainës, e cila synon të anëtarësohet në NATO, nuk duhet të garantohet në kurriz të Rusisë”, tha Peskov, duke iu referuar takimit të djeshëm të të ashtuquajturës “koalicioni i të vullnetshëmve“ në Paris.
Në bisedime, shumë shtete anëtare të NATO-s kishin shprehur gatishmërinë për të vendosur trupa në Ukrainë për ta mbrojtur vendin nga agresioni i përsëritur i fqinjit të saj pas një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje të mundshme me Rusinë.
“Ju nuk mund të garantoni sigurinë e një vendi duke shkatërruar sigurinë e një tjetri. Kjo nuk do të na ndihmojë të afrohemi me një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë”, tha Peskov.