E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kremtimi i Pashkës në Vatikan, Papa Françesku: Le të na frymëzojë të kujdesemi për njëri-tjetrin, të shtojmë solidaritetin

Pak pasi kardinali Angelo Comastri drejtoi meshën e mbajtur për Pashkë, para mijëra besimtarëve në sheshin “Shën Pjetër” të Vatikanit, Papa Françesku u shfaq në ballkonin e Bazilikës me të njëjtin emër për t’i bekuar dhe për t’iu uruar një Pashkë të lumtur.

Muajin e shkuar, Ati i Shenjtë doli nga spitali Gemelli i Romës, ku për më shumë se pesë javë luftoi me pneumoninë që në disa raste i rrezikoi jetën.

Pas daljes nga spitali, mjekët i rekomanduan të paktën dy muaj pushim, si dhe të shmangte kontaktet me turmat.

Por kjo nuk e ka ndaluar Papën, pasi vetëm këtë javë ka dalë jashtë rezidencës papnore dy herë të tjera. Megjithatë, gjendja e tij delikate nuk e lejoi që të lexonte mesazhin e tij “Urbi et Orbi”, për qytetin dhe botën, i cili këtë radhë u lexua nga një bashkëpunëtor i tij.

Në të, theksi u vu tek nevoja për respektim të lirive fetare dhe lirisë së fjalës.

“Nuk mund të ketë paqe pa liri fetare, pa liri mendimi dhe fjale si dhe pa respekt për këndvështrimet e të tjerëve. Le të na frymëzojë drita e Pashkës të thyejmë barrierat që krijojnë përçarje dhe shoqërohen me pasoja të rënda politike dhe ekonomike. Le të na frymëzojë të kujdesemi për njëri-tjetrin, të shtojmë solidaritetin e ndërsjellë dhe të punojmë për zhvillimin e gjithanshëm të çdo qenieje njerëzore”, tha Papa Francesku.

Shqetësimi për antisemitizmin dhe situata e mjerueshme humanitare në Gaza zuri një vend të veçantë në mesazhin “Urbi et Orbi” të Papës.

“Është shqetësuese klima në rritje e antisemitizmit në botë. Në të njëjtën kohë, mendoj për popullin e Gazës, dhe në vecanti komunitetin e krishterë atje, ku konflikti i tmerrshëm vijon të të shkaktojë vdekje dhe shkatërrim dhe të krijojë një situatë humanitare dramatike dhe të mjerueshme. Iu bëj thirrje palëve në luftë, shpallni armëpushimin, lironi pengjet dhe ndihmoni një popull që po vuan urie dhe që aspiron për një të ardhme paqeje”, tha ai.

Ndërkaq, kreu i Kishës Katolike pati të dielën edhe një takim të shkurtër me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, i cili ndodhej në Romë bashkë me familjen.

Ky takim u mbajt pak muaj pas një përplasjeje mes Atit të Shenjtë dhe administratës së presidentit Donald Trump, në lidhje me politikat kundër migracionit të kreut të Shtëpisë së Bardhë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›