Kremtohet Pashka ortodokse në të gjithë vendin, festa është një thirrje për dashuri, falje dhe bashkim mes njerëzve

Në mesnatën e së dielës së Pashkës, besimtarët ortodoksë në Berat përjetuan një nga çastet më të shenjta të besimit të tyre, shpalljen e mesazhit të madh “Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!”
Ceremonia u zhvillua në katedralen Shën Dhimitrit nën drejtimin e Mitropolitit të Beratit, Imzot Asti. Qindra besimtarë u mblodhën si brenda ashtu edhe jashtë ambientit të kishës, duke u bashkuar në lutje për paqe, shëndet dhe mirëqenie.
Ndërsa qyteti i Korçës u mbush me besimtarë ortodoksë nga e gjithë Shqipëria, të cilët kremtuan Pashkët, duke e kthyer qytetin në një qendër të rëndësishme pelegrinazhi shpirtëror.
“Jeta që na dhuroi perëndia është më e fortë se çdo forcë e prishjes dhe shkatërrimit”, tha Hirësi Anastasi, Mitropolit i Korçës
Mes qindra Besimtarëve ortodoks, është kremtuar Pashka në Vlorë. Orët e mesnatës u shoqëruan me lutje dhe rituale tradicionale, ndërsa kambanat ranë për të shpallur Ngjalljen e Krishtit.
Për At Kostandin Priftin, këto janë kohëra kur duhet të kujdesemi të shmangim konfliktet dhe ti dhurojmë njëri tjetri sa më shumë mirësi.
“Më shumë kemi nevojë për paqe, dashuri, harmoni dhe kisha sot predikon më pak zënka dhe më shumë dashuri për njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Lajmi e gëzuar qe Krishti u ngjall besimtaret ortodoks te Fierit e priten e kishën e qytetit. Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla Hyka gjate meshës theksoi se ngjallja e Krishtit është një premtim se fitorja finale i përket së mirës dhe jo së keqes.
Edhe besimtarët ortodoksë të Shkodrës kanë kremtuar vigjiljen e Pashkës në Kishën “Lindja e Krishtit”. Shërbesa fetare u mbajt nga famullitari i Shkodrës, Atë Nikolla Petani.
Teksa fishekzjarrët ndriçuan qiellin në mesnatë, besimtarët ortodoksë në të gjithë vendit sipas traditës morën qirinjtë e ndezur në kishë e më pas iu drejtuan shtëpive të tyre.
/rtsh.al/