Pashka, vizitorë në Manastirin e Ardenicës, turistët e huaj zgjedhin një nga monumentet më të rëndësishme fetare

Java e Pashkëve ka sjellë një fluks të shtuar vizitorësh në objektet fetare dhe turistike në vend. Një ndër destinacionet më të frekuentuara mbetet Manastiri i Ardenicës, i vendosur në kodrat piktoreske të Myzeqesë, pranë gjurmëve të lashta të Rruga Egnatia. Turistë nga vende të ndryshme të botës vizitojnë këtë kompleks historik, duke e cilësuar Shqipërinë si një destinacion mbresëlënës për natyrën dhe mikpritjen.
“Kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Mendoj se është një vend shumë i bukur. Një nga gjërat që kemi vënë re veçanërisht është se kudo që shkojmë, mund të shohim malet dhe të mësojmë rreth historisë”, u shpreh një turiste.
“Vij nga Britania e Madhe, kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Ka qenë kënaqësi ky udhëtim, është vërtet shumë bukur këtu”, tha një tjetër.
Për banorët e zonës, si Sokrat Nako, manastiri përfaqëson një pasuri të vyer shekullore dhe një simbol të rëndësishëm të trashëgimisë shpirtërore.
I njohur për vlerat historike dhe fetare, manastiri përfshin Kishën e Shën Triadhës, ku sipas traditës është kurorëzuar martesa e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
/rtsh.al/