Kreta goditet nga tërmet me magnitudë 6.1, nuk raportohet për persona të lënduar

Një tërmet i fortë, me magnitutë 6.1 goditi ishullin e Kretës mëngjesin e kësaj të enjte (22 maj). Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Lëkundja u regjistrua 56 kilometra në veri-verilindje të Heraklionit, sipas të dhënave nga Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës.
Thellësia fokale vlerësohet të ketë qenë 60.3 kilometra, ndërsa intensiteti dhe kohëzgjatja e tërmetit ishte e lartë në qytetet Chania dhe Rethymno.
Sipas mediave greke, shërbimet zjarrfikëse të Kretës janë vënë në gatishmëri për të kontrolluar situatën.
Duke folur për ERT, kryetari i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet Efthimios Lekkas vuri në dukje se ishte pozitive që epiqendra e tërmetit ndodhej në det dhe me thellësi të konsiderueshme.
/rtsh.al/