E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i LSI kryeministër? Meta: Objektiv, fitorja. Të tjerat dëshira personale

TIRANE – Kryetari i LSI-së Ilir Meta e cilësoi si një dëshirë individuale deklaratën e deputetit Nasip Naço në Berat, i cili ftoi qytetarët të votojnë LSI-në për të bërë liderin e saj kryeministër të Shqipërisë. Në një konferencë për shtyp, kreu i LSI-së theksoi se objektivi i tij është fitorja e së majtës në 23 qershor. Meta konfirmoi se marrëdhënia e LSI -së me Partinë Socialiste është mjaft konstruktive dhe se partia e tij do t’i qëndrojë besnike paktit të firmosur në Shkodër. 

“Objektivi kryesor i LSI dhe i imi është fitorja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në 23 qershor dhe njëkohësisht arritja e një rezultati historik dhe i tillë do të jetë për LSI. Lidhur me deklarata të caktuara mendoj se ato nuk na shmangin nga objektivat kryesore që ne kemi dhe njëkohësisht sikurse u konfirmua edhe dje nga PS, koalicioni është në një sintoni të plotë dhe me një rritje të jashtëzakonshme të frymës së bashkëpunimit, që thellon çdo ditë fitoren e 23 qershorit. Koalicioni i majtë ka një objektiv të vetëm, që është fitorja plebishitare dhe është në sintoni të plotë. Të tjerat janë deklaratat dhe dëshira të individëve të caktuar. Ashtu si edhe zoti Berisha ka ëndrrat e tij dhe vazhdon të shikojë ëndrra me sy hapur. Objektivi im i vetëm është fitorja e së majtës dhe një objektiv tjetër, që nuk po më ndihmon Berisha për ta realizuar, që është miratimi i 3 ligjeve. Me PS kemi rënë dakord që doktori të mos jetë më kryeministër”,- u shpreh Meta. 

Lideri i LSI-së tha se kryeministri Berisha synon të bëjë diversion brenda së majtës, kur deklaron se “Meta u largua nga koalicioni qeveritar pasi synon karrigen e kryeministrit”.

“Diversionet e tij brenda të majtës, apo brenda opozitës nuk kanë më asnjë të ardhshme. Ai arriti të qëndrojë për një kohë të gjatë në pushtet, falë problemeve. Tani fillon një epokë e re në mëngjesin e 24 qershorit. Epoka e re një Shqipërie që ecën pa u ndalur në rrugën e integrimit evropian”,- deklaroi Meta.

Në lidhje me KQZ-në, Meta theksoi se e vetmja zgjidhje për të tejkaluar ngërçin është rivendosja e besimit tek institucioni përmes dialogut konstruktiv mes palëve.

“Opozita nuk ka asnjë arsye të legjitimojë shkatërrimin e këtij institucioni të bërë nga zoti Berisha. Eshtë një çështje për të cilën zoti Berisha duhet të marrë përgjegjësi, pasi jemi i vetmi vend në rajon që ka një problem të tillë, ku kemi një gjysmë qeveri zgjedhjesh dhe njëkohësisht fillojmë këtë proces me një shqetësim për standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit, gjë që nuk e pengon opozitën për të fituar në mënyrë bindëse”,- u shpreh Meta. 

Kryetari i LSI-së përsëriti sërish apelin e tij në drejtim të kryeministrit Berisha për të votuar përpara zgjedhjeve 3 ligjet e nevojshme për marrjen e statusit, me kushtin e vetëm që zbatimi i tyre të fillojë në kohën kur do të nisë punën legjislativi i ri. Meta i bëri thirrje kryeministrit të mos kompleksohet nga fakti që ky propozim vjen nga LSi-ja.

“Duke u nisur nga deklarimi i djeshëm i zotit Berisha se duhet bërë gjithçka për të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti, e ftoj që të jetë më konkret për këtë çështje, pasi sikurse kemi theksuar edhe në komunikimet e mëparshme, mundësia ndoshta e vetme që Shqipëria ta marrë statusin brenda këtij viti është që 3 ligjet të votohen këto ditë në Kuvend, natyrisht me kompromisin që ato të hyjnë në fuqi në shtator. Nuk shoh asnjë arsye që zoti Berisha të angazhohet seriozisht për këtë kompromis, pa u nisur nga kush vjen ky propozim”,- deklaroi Meta.

NAÇO: META, KRYEMINISTRI I RI PAS 23 QERSHORIT
Lëvizja Socialiste për Integrim lançoi dje, Ilir Metën si kryeministër pas 23 qershorit. Gjatë mitingut për prezantimin e kandidatëve për deputetë në qarkun e Beratit, një prej figurave të LSI-së, deputeti Nasip Naço u tha të pranishmëve se: "Ilir Meta, me votën tuaj në 23 qershor do të jetë Kryeministri i Shqipërisë". Pak momente pasi në Pallatin e Kongreseve u mbyll dita e parë e Konventës së socialistëve, ku të gjithë njëzëri përmendën Edi Ramën si kryeministrin e pas 23 qershorit, në Berat, Naço tha se: "E majta e bashkuar do t'i fitojë zgjedhjet, për t'i dhënë vendit një stabilitet të ri, një rotacion politik, një ekuilibër të ri të institucioneve të pavarura, larg kontrollit të një njeriu të vetëm. LSI-ja është forca që do ta realizojë këtë ndryshim, pasi ne kemi një lidership të prodhuar në këto vite, që di t'i fitojë zgjedhjet, por edhe t'i mbrojë ato. Ai është kryeministri më i suksesshëm i së majtës në Shqipëri, është lideri i së majtës, ai është Ilir Meta". 

"Të gjithë ne që jemi këtu bashkë, kemi të përbashkët Malin e Tomorit, por sigurisht që të gjithë ne bashkë kemi edhe një mal të politikës shqiptare. Ai është Ilir Meta, i cili, me votën tuaj në 23 qershor do të jetë Kryeministri i Shqipërisë dhe ai do të bëjë më shumë se gjithë kryeministrat e tjerë, sepse është djali juaj, ai ka lindur në këtë qark dhe do të bëjë realitet të gjitha premtimet", - u shpreh Naço.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Kreu i LSI kryeministër? Meta: Deklarata e Naços, dëshirë personale. Objektiv, fitorja Dropull, Berisha: Meta iku sepse donte karrigen time. Dule njeri i pazareve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›