Kreu i PD-së/ Miratohen dy kandidaturat, Lulzim Basha garon përballë Gjergj Hanit

Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë ka miratuar kandidaturat për kreun e ri të kësaj force politike. Dy kandidatët që garojnë për të marrë kreun e kësaj partie janë ish-kryetari i saj, Lulzim Basha dhe Gjergj Hani.
Në prag të hapjes së garës, kryesia e Partisë Demokratike ka ftuar çdo demokrat që të bëhet pjesë e procesit të riorganizimit.
“Miratimi i kandidaturave për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike shënon një moment vendimtar për familjen tonë politike. Në prag të çeljes së garës, ne ftojmë çdo demokrat të jetë pjesë aktive e saj dhe e procesit të riorgnizimit, nëpërmjet të cilit do të ngrihemi në lartësinë e vlerave dhe aspiratave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua në Dhjetor të vitit 1990, si forca e parë pro-perëndimore dhe si shpresa e shqiptarëve për ndryshim”, thuhet në njoftimin e Kryesisë së Partisë Demokratike.
Gjithashtu, Kryesia e Partisë Demokratike e ka konsideruar të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj, ndërsa ka ftuar secilin që të vetëpërmbahet nga ngritja e pretendimeve të pabaza që dëmtojnë interesat e kësaj force politike.
“Ne ftojmë çdo anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike të jetë pjesë e jetës institucionale dhe t’i japë zë çdo shqetësimi që mund të ketë brenda mandatit me të cilin është ngarkuar nga anëtarësia.
Mosnjohja e institucioneve, pretendimet mediatike të pabaza dhe akuzat e pamotivuara nuk ndihmojnë procesin e riorganizimit dhe shfokusojnë përpjekjet e përbashkëta për t’u dhënë demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse të denjë për sfidat e Shqipërisë”, përfundon në njoftimin e saj Kryesia e Partisë Demokratike.
/rtsh.al/