Kreu i PS-se Edi Rama ne Presidence takoi me Presidentin Nishani

Edi Rama shkeli për herë të parë në Presidencën e drejtuar prej Bujar Nishanit, për të kërkuar një tranzicion të qetë të pushteteve.
Burime nga PS bënë të ditur se takimi është kërkuar nga socialistët, për t’i shprehur kreut të Shtetit shqetësimin mbi vendimet që Qeveria në detyrë vazhdon të marrë, sikur të mos ishte në ikje.
Rama nuk u prononcua për mediat, por nga profili i tij në Twitter, ka pohuar se takimi me Presidentin Nishani ishte pozitiv dhe kishte si tematikë bashkëpunimin institucional dhe tranzicionin e pushtetit pa probleme të reja.
Edhe Presidenca, përmes një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se Nishani dhe Rama shkëmbyen mendime për një tranzicion të butë të pushteteve, në interes të forcimit të demokracisë dhe shtetit ligjor.
Për socialistët, nuk është normale që një qeveri në ikje të marrë vendime mbi pagat e pensionet apo të mbledhë Këshillin Kombëtar të Territorit, siç pohon sekretari Damian Gjiknuri.
Gjiknuri theksoi se këto vendime do të rishihen nga Qeveria e ardhshme.