Kreu i SHISH raporton sot në Kuvend

Seanca me dyer të mbyllura, Bahri Shaqiri: Si ka punuar Shërbimi Informativ gjatë vitit 2009
Kryetari i Shërbimit Informativ Shqiptar, Bahri Shaqiri, pritet të raportojë sot në orën 10:00 në Komisionin e Sigurisë. Nuk jepen detaje rreth përmbajtjes së raportit vjetor për veprimtarinë e këtij institucioni.
Një kopje e raportit vjetor të Shërbimit Informativ Shqiptar i është dorëzuar kreut të Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi. Ditën e sotme anëtarët e Komisionit të Sigurisë pas raportimit të Bahri Shaqirit, do të diskutojnë me dyer të mbyllura pikat e raportit.
Sipas nenit 103 të rregullores së kuvendit thuhet se Konferenca e Kryetarëve, në fillim të çdo viti, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, vendos për kalendarin e paraqitjes në Kuvend të raporteve të organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj.
Kalendari i paraqitjes së raporteve u shpërndahet deputetëve në seancën plenare më të parë.
Ndërsa në pikën 2 të nenit 103 përcaktohet se Kryetari i Kuvendit u kërkon dërgimin me shkrim të raportit institucioneve përkatëse të paktën dy javë para datës së caktuar për t'u mbajtur në seancë plenare dhe, pas paraqitjes së tyre, ia dërgon menjëherë komisionit të përhershëm përkatës për shqyrtim.
Komisioni organizon seancë dëgjimore për shqyrtimin e raportit dhe, në përfundim të diskutimeve, harton një projektrezolutë të vlerësimit të punës së institucionit dhe ia paraqet atë seancës plenare. Pas kalimit në Komision, raporti do të kalojë në seancë plenare.
Raporti do të mbahet nga titullari i institucionit për jo më shumë se 60 minuta, lexohet projektrezoluta e komisionit përkatës për vlerësimin e punës së institucionit dhe vijohet me pyetjet dhe përgjigjet e tyre dhe hapjen nga drejtuesi i seancës i debatit, në rast se zhvillimi i debatit kërkohet me shkrim nga një komision i përhershëm, një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 10 deputetë.
Në përfundim të debatit votohet projektrezoluta e paraqitur nga komisioni, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 99 të kësaj Rregulloreje. Mjaft i diskutuar gjatë këtij viti ka qenë edhe projektligji i qeverisë për SHISH-in.
EURALIUS pritet të sjellë vërejtjet dhe propozimet e veta për projektin e kaluar tashmë edhe në komisionet parlamentare. Komisioni i Sigurisë është në pritje të vërejtjeve të shoqëruara edhe me propozime konkrete të këtij misioni, lidhur me pikat për të cilat ka pasur kontestime, si nga faktori ndërkombëtar, ashtu edhe nga vetë Shërbimi Informativ Shtetëror.