E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE shtyn sërish rezulutën për Shqipërinë

Komiteti i Jashtëm Europarlamentar vendosi dje të votojë paraditen e sotme Rezolutën e raporterit Kuntis për Shqipërinë


Parlamenti Europian ka shtyrë me një ditë miratimin e Rezolutës për procesin integrues të Shqipërisë, ndërsa dje është vënë sërish në dyshim kalimi i saj për paraditen e sotme.


Edhe pse, sipas axhendës së dy ditëve më parë, rezoluta e hartuar nga reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikoals Kuntis, parashikohej të miratohej ditën e djeshme, ajo është lënë për t'u votuar paraditen e sotme së bashku me amendamentet e paraqitura nga europarlamentarët.


Në faqen zyrtare të Parlamentit Europian nuk shpjegohet arsyeja e kësaj shtyrjeje, në axhendën e këtij institucioni specifikohet se diskutimi mbi procesin integrues të Shqipërisë në tërësi dhe mbi krizën politike në veçanti, do të mbahet nga ora 09:00 deri në orën 10:00 të paradites së sotme.


Por, edhe votimi për ditën e mërkurë është vënë në dyshim, teksa dje një grup europarlamentarësh kanë kërkuar shtyrjen e Rezolutës.


Eurodeputetët e majtë kanë kërkuar shtyrjen e miratimit të kësaj Rezolute, pasi, sipas tyre, kjo do të ndihmonte në zgjidhjen e krizës politike, kur ende ekziston një draft-marrëveshje si dhe kur ditën e sotme, vjen në Shqipëri kreu i Partive Popullore Europiane, Xhozef Daul, i cili do të takojë Presidentin e Republikës Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, zëvendëskryeministrin dhe njëkohësisht ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, si dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin, si dhe një nga përfaqësuesit e opozitës në mungesë të kreut të saj Edi Rama.


Kërkesa e eurodeputetëve të majtë nuk mundi të marrë konsesusin e të gjithë përfaqësuesve të partive europiane, duke bërë që Komisioni i Jashtëm Europarlamentar të vendosë për miratimin e kësaj Rezolute paraditen e sotme.



Kriza politika dhe mundësia e gjetjes së një kompromisi politik midis opozitës dhe mazhorancës në Shqipëri, do të jetë diskutimi kryesor i eurodeputetëve. Kjo problematikë është theksuar edhe në amendamentet e hartuar nga europarlamentarët, të cilat do hidhen në diskutim gjatë shqyrtimit dhe miratimit të Rezolutës së reporterit Kuntis.


Në amendamentet e bashkëngjitura të Rezolutës së Kuntis, theksohet qartë keqardhja për vazhdimin e krizës politike dhe nga ana tjetër kërkohet rivendosja e një dialogu politik për t'i dhënë frymëmarrje Parlamentit në mënyrë që ai të vazhdojë të punojë me aktivitet të plotë, për t'u paraprirë edhe zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›