Kreu i SPAK Klodian Braho mbërrin në Kuvend, merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve

Kreu i ri i SPAK Klodian Braho ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Në mbledhjen që nis në 10:30 Këshilli për Rregulloren Imunitetin dhe Mandatet do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, e zgjedhur deputete në qarkun e Fierit.
Në mbledhje do të jenë të pranishëm 3 prokurorë, Dritan Prençi, Dorina Bejko si dhe kreu i ri i SPAK, Klodian Braho. Në Kryesinë e Kuvendit është paraqitur dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Nga ana tjetër zëvendëskryeministja Belinda Balluku ka mbërritur në Kryeministri.
Balluku është akuzuar nga SPAK për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Gjithashtu, ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi.