E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kreu i rebelëve sirianë: Vendet e huaja nuk duhet të kenë frikë nga lufta me Sirinë

Udhëheqësi i forcave që rrëzuan presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, ka thënë se qeveritë e huaja nuk duhet të shqetësohen për atë që do të ndodhë në vend, duke thënë se Siria nuk është gati për një luftë tjetër.

Mohammad al-Jolani, udhëheqësi i grupit kryesor islamik në koalicionin që përmbysi regjimin u tha gazetarëve në kryeqytetin sirian Damask të martën se vendet e huaja nuk duhet të kenë frikë të panevojshme.

“Frika ishte nga prania e regjimit; regjimi tani është zhdukur. Vendi po shkon drejt zhvillimit dhe rindërtimit. Po shkon drejt stabilitetit.

Njerëzit janë të lodhur nga lufta, kështu që vendi nuk është gati për një tjetër dhe nuk do të hyjë në një tjetër. Burimi i frikës sonë ishte nga milicitë iraniane, Hezbollahu dhe regjimi që kreu masakrat që po shohim sot”, u shpreh Jolani.

Ndërsa Siria fillon të përpiqet të riformësohet pas rënies së diktatorit prej shumë kohësh Bashar al-Assad, fuqitë e mëdha rajonale po vëzhgojnë nga afër – përfshirë Turqinë fqinje, e cila pret më shumë refugjatë sirianë se çdo vend tjetër.

Një synim për Turqinë është të stabilizojë Sirinë mjaftueshëm për të lejuar “kthimin e sigurt, në shkallë të gjerë dhe vullnetar” të refugjatëve sirianë, tha Sinan Ulgen, bashkëpunëtor i lartë në institutin “Carnegie Europe”.

Rreth 2.9 milionë sirianë jetojnë në Turqi – megjithëse vlerësimet jozyrtare janë shumë më të larta. Fluksi i refugjatëve gjatë luftës civile 13-vjeçare të Sirisë është i diskutueshëm në Turqi, ku partitë opozitare kanë bërë thirrje për dëbime masive dhe kanë mbajtur protesta anti-siriane.

Të hënën, presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia do të hapte një portë kufitare me Sirinë për të lejuar kthimin e sigurt dhe vullnetar të emigrantëve sirianë, duke shtuar se Ankaraja do të “punojë ditë e natë” për të siguruar që Siria të arrijë “paqe dhe stabilitet të përhershëm”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›