Kreu i shtetit apelon për ruajtjen e vlera muzeale dhe turistike të Beratit

Berat, 17 Mars NOA - Në vijim të vizitës së tij të punës në qytetin e Beratit, kryetari i shtetit shqiptar pasi zhvilloi një takim me drejtuesit më të lartë vendorë, vizitoi Galerinë e Arteve Edward Lear duke u ndalur më pas veçanërisht në Qendrën Muzeale dhe Muzeun Etnografik.
I pritur dhe i shoqëruar edhe nga Drejtori rajonal i Monumenteve të Kulturës, Lonik Çuedari, nga Drejtori i Muzeut Onufri dhe atij Etnografik, Kastriot Dervishi si dhe nga Drejtori i Galerisë së Arteve Edward Lear të qytetit të Beratit, Agron Polovina, Presidenti Topi së bashku me anëtarë të kabinetit të tij, u ndal dhe vizitoi Kishën Fjetja e Shën Mërisë me ikonat e Onufrit që daton në shekullin XVII si dhe disa objekte muzeale në lagjen Kala.
Në këtë lagje karakteristike beratase me interes të veçantë arkitektonik kreu i shtetit u prit nga banorët vendas duke u përshëndetur përzemërsisht me ta dhe vizitoi një shtëpi të tipit hotelerik duke apeluar për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të pasurisë historike, muzeale dhe turistike të Beratit.
Presidenti duke vënë në pah rëndësinë e traditave dhe vlerat e vyera qytetare, arsimore, arkeologjike e turistike dhe të bashkëjetesës fetare të Beratit, theksoi se ky qytet është përfshirë edhe në listën e pasurisë kulturore botërore të UNESCO-s.
e.r/NOA