E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu shtetëror serb unik rreth platformës për Kosovën

 Qeveria e Serbisë ka miratuar platformën për Kosovën e cila nuk do të bëhet publike dhe propozim-rezolutën që do t’i procedohet parlamentit.

Në këtë mbledhje të ekzekutivit serb morri pjesë edhe presidenti serb, Tomislav Nikoliq i cili ka deklaruar se Serbia sot ka treguar qëndrim unik rreth çështjes së Kosovës.

“Serbia, së paku sot në mbledhjen e qeverisë, ka treguar se mund të qëndroj unike pas një dokumenti pavarësisht kufizimeve dhe frikës që ka dikush kur flet për Kosovën. Ajo që po bëjmë sot është minimumi në raport me atë që kemi mundur të fitojmë para disa viteve dhe maksimumi që do të mund të merrnin pas një kohe”, ka thënë Nikoliq, për mediet serbe.

Ai ka shtuar se tani mbetet që Kuvendi i Serbisë të deklarohet rreth këtij dokumenti dhe shpreson që deputetët do të kuptojnë rëndësinë e momentit dhe përgjegjësinë e tyre, sepse bëhet fjalë për propozim-rezolutë që nuk është një ligj i thjesht mbi të cilin fitohen poena politik.

Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka bërë të ditur se qeveria unanimisht ka miratuar dy dokumente që kanë të bëjnë me Kosovën dhe me këtë është treguar unitet i plotë shtetërore për këtë temë të rëndësishme që është thelbësore për interesat nacionale dhe shtetërore.

“Porosia e rezolutës është se dëshirojmë zgjidhje gjithëpërfshirëse, dhe se do të vazhdojmë dialogun. Kemi nevojë për mbrojtjen e interesave tona nacionale e shtetërore dhe do të bëjmë propozime sipas të cilave mendojmë se si duhet të organizohen serbët në Kosovë në kushtet kur nuk ka zgjidhje përfundimtare, sikur që është paraparë me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së”, ka thënë Daçiq. /Indeksonile/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›