E Diel, 1 Nëntor 2026

Krijimi i 33 Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, qeveria mbështet modelin e ri me financim deri në 100%, Koçiu: Rruga me e shpejtë drejt fondeve të BE-së

Në Shqipëri janë krijuar deri më sot 33 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), një strukturë që synon fuqizimin e bashkëpunimit mes fermerëve, uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendase në tregjet e Bashkimit Evropian. Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri të ditur se përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2026, qeveria shqiptare financon deri në 100% këto shoqëri për të nxitur modernizimin e sektorit.

Ulja e kostove dhe ruajtja e pronësisë

Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Zv.kryeministrja Koçiu sqaroi përfitimet praktike të këtij modeli, duke theksuar se bashkimi i forcave ndihmon në përballimin e kostove të makinerive dhe imputeve bujqësore, pa cenuar pronësinë private të fermerëve over tokën apo fermën.

“Kur je vetëm plehun e blen më shtrenjtë, çmimin ta vendos tregtari, kur je vetëm kostot e makinerive nuk i përballon dot, kur je vetëm standardet e Europës janë shumë larg. Ama, kur bashkoheni ndryshon gjithçka. SHBB janë ato që bashkojnë forcat, kostot ulen me 30%, prodhimi rritet, investoni bashkë në prodhim, magazinim dhe del në treg si një zë i vetëm, jo si 10 zëra të vegjël. Dhe të jemi të qartë: toka mbetet e jotja, ferma mbetet e jotja, askush nuk të merr asgjë. Ju bashkoni vetëm forcën, jo pronën.”, tha Albana Koçiu, Zëvendëskryeministre.

Qasja drejt standardeve dhe fondeve të BE-së

Sipas zv.kryeministres, organizimi në shoqëri bashkëpunimi lehtëson gjithashtu qasjen në fondet evropiane dhe ndihmon në kalimin nga tregjet lokale drejt eksporteve.

“Kur je i organizuar dyert e fondeve të BE hapen shumë më lehtë. Rruga jonë është nga fermeri i vetëm, tek fuqia e bashkimit; nga prodhimi tek vlera e shtuar; nga mbështetja tek investimi; nga tregu i fshatit tek ai i BE. Suksesi nuk ndërtohet vetëm. Ai vjen kur bashkojmë forcat, investojmë te bashkëpunimi dhe ndajmë të njëjtin vizion për zhvillimin e bujqësisë shqiptare.”, apelon Koçiu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›