E Diel, 1 Nëntor 2026

Themelohet “Fincantieri Albania”, nënshkruhet marrëveshja në Gjenovë për menaxhimin e kantierit të Pashalimanit

Mbrojtja dhe industria detare shqiptare kanë shënuar një hap drejt bashkëpunimit strategjik me Italinë, pas nënshkrimit të Aktit të Themelimit dhe Statutit të shoqërisë së re “Fincantieri Albania”. Ceremoni e nënshkrimit u zhvillua në Divizionin e Anijeve Detare të gjigantit italian “FINCANTIERI” në Gjenovë, ndërsa shoqëria e re do të ketë selinë e saj zyrtare në qytetin e Vlorës.

Zhvillimi i industrisë detare dhe siguria kombëtare

Përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi këtë marrëveshje si një investim me rëndësi të veçantë për ekonominë dhe kapacitetet prodhuese të vendit. Partneriteti synon sjelljen e teknologjisë së avancuar ushtarake e detare në Shqipëri, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Ky partneritet përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë detare shqiptare, transferimin e teknologjisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend. Shqipëria vijon të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me liderët ndërkombëtarë të industrisë, duke krijuar vlerë të shtuar për ekonominë dhe duke kontribuar në forcimin e sigurisë kombëtare.”, thekson Ermal Nufi, Ministër i Mbrojtjes.

Modernizimi i Pashalimanit dhe ndërtimi i anijeve të reja

Sipas termave të bashkëpunimit, shoqëria “Fincantieri Albania” do të marrë përsipër menaxhimin e plotë të kantierit detar të Pashalimanit, menjëherë pas përfundimit të procesit të modernizimit të tij.

Përveç mirëmbajtjes, struktura e re do të mbikëqyrë edhe ndërtimin e anijeve me përmasa teknike deri në 80 metra gjatësi dhe me një zhvendosje prej 800 tonësh. Mjetet lundruese të prodhuara në këtë kantier do të shërbejnë si për nevojat e tregut të brendshëm ushtarak e civil, ashtu edhe për eksport në tregjet ndërkombëtare.

Projekti parashikohet të kap vlerën e një plani ambicioz prej 1.2 miliardë eurosh dhe një mundësi për transformimin e kantierit të Pashalimanit në një qendër kryesore prodhimi e mirëmbajtjeje për rajonin.

Sipas termave të bashkëpunimit dypalësh, pala shqiptare përmes kompanisë “Kayo” do të vërë në dispozicion territorin e kantierit dhe do të investojë drejtpërdrejt në modernizimin e infrastrukturës ekzistuese. Nga ana tjetër, kompania italiane “Fincantieri” do të mbulojë asistencën teknologjike, furnizimin me materiale si dhe trajnimin e stafit vendas.

Projekti pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm edhe në tregun e punës në jug të vendit, ku parashikohet hapja e qindra posteve të reja të punës. Në këtë kantier të ri pritet të punësohen afër 400 persona. Kantieri do të transformohet në një aset kyç për Forcën Detare në Vlorë.

Rëndësia historike dhe strategjike e bazës së Pashalimanit

Baza e Pashalimanit mbetet pika më e rëndësishme strategjike e Forcës Detare Shqiptare. E vendosur në një pozitë kyçe në Gjirin e Vlorës, ajo ka shërbyer historikisht si bazë ushtarake detare dhe qendër riparimi për mjetet lundruese.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Pashalimani përfaqësonte një nga bazat më të rëndësishme detare të Bashkimit Sovjetik në detin Mesdhe. Pas viteve ’90, infrastruktura e saj u riorganizua nën drejtimin e ushtrisë shqiptare dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa përfshirja e “Fincantieri-t” shënon nisjen e një etape të re industriale ushtarake për këtë bazë.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›