E Diel, 1 Nëntor 2026

Krijohet Këshilli Fiskal, monitorim i buxhetit dhe opionione për risqet financiare

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, që përcakton kuadrin ligjor për krijimin, organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni të pavarur.

Sipas projektligjit, Këshilli Fiskal do të jetë person juridik publik, i pavarur dhe do t’i përgjigjet Kuvendit të Shqipërisë. Institucioni do të ketë si qëllim monitorimin e politikës fiskale dhe kontributin në disiplinën fiskale, transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave publike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe praktikat ndërkombëtare.

Këshilli Fiskal do të monitorojë zbatimin e parimeve dhe rregullave fiskale, do të vlerësojë zhvillimet e politikës fiskale dhe do të japë opinione të pavarura për qëndrueshmërinë e financave publike dhe rreziqet fiskale.

Në veçanti, ai do të analizojë projektbuxhetin vjetor, kuadrin makroekonomik dhe fiskal afatmesëm, raportin vjetor të zbatimit të buxhetit, si dhe zbatimin e rregullave fiskale dhe rreziqet për devijimin prej tyre. Opinionet për projektbuxhetin dhe kuadrin makroekonomik e fiskal afatmesëm do të jenë pjesë përbërëse e dokumenteve që i paraqiten Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit.

Projektligji parashikon që Këshilli Fiskal të përbëhet nga tre anëtarë, me mandat gjashtëvjeçar dhe mundësi riemërimi vetëm një herë. Anëtarët do të ushtrojnë detyrën me kohë të plotë dhe do të zgjidhen nga Kuvendi pas një procedure publike përzgjedhjeje nga komisioni parlamentar përgjegjës për financat.

Për kandidatët parashikohet, ndër të tjera, diplomë master ose doktoraturë në ekonomi, financa publike, makroekonomi, ekonometri, statistikë, financë apo fusha të lidhura, si dhe të paktën 10 vjet përvojë profesionale në financa publike, makroekonomi ose kërkim shkencor në ekonomi.

Këshilli do të mbështetet nga një sekretariat teknik me pesë anëtarë, të cilët do të përzgjidhen përmes konkurrimit publik dhe do të kenë të paktën shtatë vjet përvojë profesionale në fushat përkatëse.

Projektligji përcakton gjithashtu rregulla për transparencën dhe raportimin publik. Këshilli Fiskal do t’i paraqesë Kuvendit një raport vjetor për veprimtarinë e tij dhe do të publikojë analizat, opinionet dhe vlerësimet e tij.

Institucioni do të financohet nga buxheti i shtetit, me fonde të parashikuara si zë i veçantë në ligjin vjetor të buxhetit, ndërsa do të ketë autonomi në përdorimin dhe menaxhimin e fondeve të alokuara.

Sipas projektligjit, Komisioni përgjegjës për ekonominë dhe financat duhet t’i propozojë Kuvendit anëtarët e Këshillit Fiskal brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit. Këshilli do të konstituohet dhe do të nisë veprimtarinë pasi të jenë zgjedhur të tre anëtarët.

Ligji parashikohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›