Eno Bozdo: Rezerva strategjike e naftës rrezikon të krijojë një skemë si KAYO, PD depoziton amendamentet

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka kundërshtuar projektligjin e qeverisë për krijimin e Rezervës Strategjike të Naftës, duke argumentuar se rrezikon të krijojë një model korruptiv në kurriz të qytetarëve.
Bozdo bëri të ditur se Grupi Parlamentar i PD-së ka depozituar në Kuvend amendamente për ndryshimin e projektligjit, me synimin që financimi i rezervës të mos rëndojë mbi konsumatorët, blerjet të kryhen përmes procedurave konkurruese dhe kompania përgjegjëse për menaxhimin e saj të jetë tërësisht shtetërore.
Sipas deputetit demokrat, krijimi i rezervës së sigurisë së karburanteve është një detyrim i Shqipërisë në kuadër të angazhimeve ndaj Bashkimit Evropian dhe një element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, veçanërisht në kushtet e krizave ndërkombëtare. Megjithatë, ai kundërshton mënyrën se si qeveria ka zgjedhur ta financojë dhe administrojë këtë mekanizëm.
Bozdo pretendon se rezerva do të kërkojë një financim prej 300 deri në 350 milionë eurosh, barrë që, sipas tij, projektligji ia ngarkon sërish qytetarëve shqiptarë. Ai argumenton se kjo nuk është një kërkesë e detyrueshme e Bashkimit Evropian, por një zgjedhje e qeverisë shqiptare.
Një tjetër problem që ngre deputeti i PD-së lidhet me parashikimin për kryerjen e blerjeve të karburanteve përmes kontratave të drejtpërdrejta, duke shmangur, sipas tij, procedurat e konkurrimit dhe transparencës të parashikuara nga legjislacioni i prokurimit publik. Bozdo kundërshton gjithashtu mundësinë që kompania që do të menaxhojë rezervën në rast krize të jetë private.
Duke iu referuar modelit KAYO, ai paralajmëron se kombinimi i financimit nga qytetarët, kontratave pa garë dhe menaxhimit privat të një sektori strategjik mund të krijojë hapësira për përfitime të padrejta.
Në amendamentet e depozituara në Kuvend, Grupi Parlamentar i PD-së propozon tre ndryshime kryesore:
Sponsorizuar
Rezerva e sigurisë së naftës të financohet 100% nga buxheti i shtetit, pa vendosur taksa të reja mbi qytetarët.
Të gjitha procedurat e blerjes së karburanteve të zhvillohen me garë dhe transparencë, në përputhje me ligjet në fuqi.
Operatori publik përgjegjës për menaxhimin e furnizimit me naftë në rast krize të jetë 100% shtetëror dhe të mos privatizohet.
Sipas Bozdos, këto ndryshime synojnë të ruajnë kontrollin publik mbi sektorin e hidrokarbureve dhe të shmangin krijimin e një skeme të ngjashme me atë që PD e cilëson si aferë në sektorin e mbrojtjes.
Deputeti demokrat argumenton gjithashtu se një rritje e mëtejshme e kostove të karburanteve do të rëndonte ekonominë, prodhimin vendas, bujqësinë dhe industrinë. Ai thekson se, përballë çmimeve të larta të naftës, krijimi i rezervës strategjike nuk duhet të kthehet në një barrë të re financiare për konsumatorët.
Bozdo u bën thirrje deputetëve të mazhorancës që të shqyrtojnë amendamentet e opozitës, duke e lidhur miratimin e tyre me mënyrën se si qeveria garanton transparencën, përdorimin e fondeve publike dhe administrimin e një sektori që, sipas tij, ka rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.a.b