Krimet Zgjedhore, Policia dhe SPAK operacion në Shkodër

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zhvilloi sot në qarkun Shkodër fazën e parë të operacionit policor të koduar “Premtimi”, në kuadër të luftës kundër krimeve zgjedhore.
Operacioni u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Në kuadër të kësaj faze u bë ekzekutimi i vendimit të datës 07.05.2025, të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kontrollin fizik ndaj 6 shtetasve dhe 9 automjeteve të tyre, konkretisht ndaj shtetasve F. V., B. L., D. D., S. Z., B. H. dhe Z. D., banues në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës; automjetit në pronësi të shtetasit F. V.; automjetit në pronësi të shtetasit B. P.; automjetit në pronësi të shtetasit D. D.;
automjetit në pronësi të OSHEE-së, në përdorim nga shtetasi S. Z.; 2 automjeteve në pronësi të shtetasit B. H.; 3 automjeteve në pronësi të shtetasit Z. D.
Policia e Shtetit njofton se nga kontrollet e kryera në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 7 celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash (euro dhe lekë) dhe tollona karburanti.
Policia e Shtetit bën me dije se hetimet në kuadër të këtij operacioni vijojnë, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK.
/a.f/r.e/