Krimet e diktaturës- Autoriteti i Dosjeve hap debatin shkencor, Sula: Themel për ndërtimin e dijes

Mekanizmat e funksionimit të ish-Sigurimit të Shtetit dhe mënyrat e përndjekjes politike ishin në fokus të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore të organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Studiues shqiptarë dhe të huaj prezantuan kërkime të reja të mbështetura në dokumente autentike arkivore, që hedhin dritë mbi funksionimin e aparatit represiv gjatë viteve 1944–1991.
Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, theksoi se dokumentet arkivore janë një bazë e rëndësishme për ndërtimin e dijes shkencore dhe për vendosjen e rastit shqiptar në debatin europian mbi regjimet totalitare.
“Ajo që dallon këtë arkiv nga çdo arkivë tjetër administrative është thelbësore dhe doja ta thoja. Bëhet fjalë për një arkiv që në vetvete, për mënyrën se si krijohet, si organizohet dhe qëllimet që ka, nuk është neutral, nuk është një arkivë e thjeshtë. Është një arkivë që duhet parë në tërësinë e vet. Kështu që, për herë të parë, në institucionin përkatës janë ftuar studiues nga të gjitha institucionet partnere dhe ndërkombëtare”.
Gjatë punimeve u prezantuan studime mbi strukturën dhe evolucionin e Sigurimit të Shtetit, rrjetin e bashkëpunëtorëve, hetuesinë, burgjet politike dhe mekanizmat e kontrollit të shoqërisë.
Studiuesit evidentuan se veprimtaria e Sigurimit mbështetej në platforma sekrete, ndërsa dhuna, presioni psikologjik dhe survejimi ishin pjesë e funksionimit të sistemit.
Konferenca synoi të pasurojë debatin shkencor dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës historike mbi periudhën e diktaturës komuniste.
/rtsh.al/