E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e qytetarëve hyn në ditën e 30-të, manifestime në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe te Kryeministria. Shënohen incidente te Politekniku

Protestuesit kanë vijuar edhe sot tubimet e tyre në kryeqytet, duke shënuar ditën e 30-të radhazi të manifestimeve në rrugë.

Grumbullimi i pjesëmarrësve ka nisur fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, prej ku nisi një marshim përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u pozicionuar më pas përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa mësohet se është zhvilluar edhe një tubim para godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës, ku janë shënuar edhe incidente.

Sipas gazetares, Elda Lame, e cila ndjek nga afër protestën, incidenti ka ndodhur “ndërmjet protestuesve dhe policisë private, pasi këta të fundit nuk kanë lejuar hyrjen e tyre në ambientet e korpusit qendror të Universitetit Politeknik për të ngritur banderolën.”

“…ka pasur një incident ndërmjet protestuesve dhe policisë private, pasi këta të fundit nuk kanë lejuar hyrjen e tyre në ambientet e korpusit qendror të Universitetit Politeknik për të ngritur banderolën.

Kjo ka shkaktuar një lloj indinjate nga ana e protestuesve, të cilët kanë kërkuar të ngrejnë këtë banderolë dhe kanë hasur në kundërshtim me policinë private. Si janë njoftuar ata se ka ndodhur ky incident? Organizatorët, teksa protesta ishte duke u zhvilluar, kanë njoftuar qytetarët e pranishëm se nuk po lejohet të ngrihet banderola. “Studentët janë me ju”.

Pas kësaj thirrjeje, një grupim prej tyre është shkëputur nga protesta dhe është zhvendosur pikërisht në Universitetin Politeknik të Tiranës, aty ku është shënuar incidenti“, u shpreh gazetarja e RTSH-së.

Përpara selisë së qeverisë, aktivistë dhe qytetarë morën fjalën për të artikuluar kërkesat e tyre drejtuar ekzekutivit. Diskutimet dhe qëndrimet e mbajtura gjatë këtij tubimi u përqendruan në një kritikë të ndaj klasës politike aktuale dhe vendimmarrjeve të fundit në sferën e ekonomisë dhe mjedisit.

Në fokus të kërkesave specifike të protestuesve mbetet anulimi i menjëhershëm i disa nismave ligjore të ndërmarra nga qeveria. Ndër to, u veçuan: Anulimi i “Paketës së Maleve” që sipas organizatorëve cenon zonat malore; shfuqizimi i legjislacionit për investimet strategjike – të cilin protestuesit e cilësojnë si një kuadër ligjor të dëmshëm që favorizon përvetësimin e pasurive publike dhe zonave të mbrojtura.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›