E Martë, 3 Nëntor 2026

Krimet e pandëshkuara, Hasani: Javën e ardhshme flasim edhe për Kosovën në Nju-Jork

Diplomacia shqiptare e ka prioritet të saj garantimin e njohjes së shtetit të Kosovës dhe mban qëndrime të qarta rreth Serbisë.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, iu drejtua të enjten Kuvendit, teksa diskutohej Rezoluta për Kosovën (https://lajme.rtsh.al/artikull/-kfor-i-te-marre-ne-kontroll-veriun-rama-sqaron-deklaraten-s-eshte-ushtri-pushtuese-forcat-e-kosoves-s-mjaftojne).

“Ka një konstante që duhet theksuar që në krye të herës: Shqipëria e ka pasur dhe vazhdon ta ketë Kosovën në qendër të aktivitetit të saj diplomatik. Nuk ka si të jetë tjetërsoj duke pasur parasysh se jemi dy vende, por një popull, dy shtete, por një hapësirë e sigurisë në rritje dhe e zhvillimit demokratik të pandërprerë,” tha ministri Hasani.

Shqipëria e mbështet zgjerimin e gjeografisë së njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

“Kosova është pjesë e agjendës në çdo takim e format dypalësh a shumëpalësh, në NATO, OSBE, në Këshillin e Evropës, ku anëtarësimi i Kosovës është vënë në proces, në OKB dhe gjatë këtyre dy viteve edhe në Këshillin e Sigurimit.

Javën e ardhshme do të organizojmë në Nju-Jork një takim të formatit Arria në Këshillin e Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konflikteve, dhe aty përfaqësues të lartë nga Kosova do të kenë mundësinë të ndajnë me mbarë botën në forumin më të lartë ndërkombëtar jo vetëm eksperiencën e dhimbshme të grave dhe vajzave kosovare, viktima të sulmeve të ushtrisë së [Sllobodan] Millosheviqit,” u shpreh ministri Hasani.

Për kreun e diplomacisë shqiptare, sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ishte një kambanë alarmi për të gjithë rajonin.

“Për më tepër, zhvillimet që ndodhën më pas janë një burim i madh shqetësimi. Fakti që në vend që të ndërmerrte një hetim të shpejtë, serioz e të plotë për atë grup, për lidhjet e tij, planifikimin, financimin dhe mbështetjen, Serbia vendosi të shpallë me nxitimin një ditë zie për tre kriminelë, për të cilët synimi ishte cenimi me dhunë i rendit dhe sigurisë së Kosovës. ishte një sinjal jo vetëm i keq, por edhe më i rrezikshmi që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe mbarë komunitetit euroatlantik. Shkon ndesh edhe me deklarimet e vetë Serbisë për gatishmërinë për marrëveshje dhe zgjidhje përfundimtare afatgjatë,” tha ministri Hasani.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›