Krimi në familje, Dragoti: Ja shkaqet e vrasjeve në verë

E shtëna vdekjeprurëse e armës në familje mbetet një nga shqetësimet më të mëdha në Shqipëri. Rastet kur babai ka qëlluar mbi bashkëshorten, fëmijën dhe anasjelltas janë dëshmi të rritjes së rrezikut brenda mureve të shtëpive shqiptare. Vetëm pak ditë më parë, krimi në familje i ndodhur në Mat i ka kushtuar jetën 3 personave, teksa ekzekutori ka qënë i afërmi i viktimave. Në kushtet të tilla, kur rriten statistikat e krimit në familje, psikologët thonë se shkaqet janë të shumta duke veçuar mbi të gjitha tranzicionin e tejzgjatur, varfërinë dhe papunësinë kryesisht tek femrat.
Megjithëse krimi në familje nuk njeh kufizime gjinore e gjeografike, psikologët kanë evidentuar faktin se vrasjet në familje kanë ndodhur më së shumti në zonat rurale ku varfëria ka qënë në nivele shqetësuese. Ndërsa ai që shkrep këmzën e armës mund të jetë femër ose mashkull, baba apo nënë, por që sipas psikologëve, ka presionin më të madh të mbatjes së familjes.
Pavarësisht se krimi në familje është i predispozuar të bëjë ai person që ka përgjegjesinë e mbatjes së familjes, të dhënat tregojnë se ne pjesën më të madhe të rasteve, viktimat kanë qenë gratë, ndërsa burrat autorët. Jo rrallë herë, viktima janë bërë edhe fëmijët. Për rastet e krimeve te ndodhura në vend statistikat tregojnë se familjet ku ka ndodhur krimi kanë jetuar në varfëri.