Krimi nuk di të ndalur, vritet një person te Sanatoriumi në Tiranë
Nuk ka të ndalur krimi. Pas dy ngjarjeve të rënda në mëngjes, një krim ka tronditur Tiranën në mbrëmje. Një person gjeti vdekjen pas një grindje tek Sanatoriumi. Burime nga policia bëjnë të ditur se viktima, Remzi Çollaku, është shtyrë nga ballkoni nga 28-vjeçari Lorenc Zaimi, pas një grindjeje mes tyre. Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit, Lorenc Zaimi, i cili ishte fshehur në shtëpinë e vjehrrit të tij, dhe është vënë në kërkim të personit tjetër që dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor në ngjarje.
Ndërkohë, në mëngjes, babë e bir u qëlluan më kallashnikov pranë një pike karburanti në hyrje të qytetit të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur pas mesnate kur Albert Qato dhe djali i tij u qëlluan në hyrje të Durrësit, pranë një pike karburanti.
Ata janë sulmuar nga disa persona që ishin në një makinë që i kishte ndjekur dhe me pas i qëlluan me kallashnikov. Menjëherë të dy të plagosurit u dërguan me urgjencë në spitalin e Durrësit. Sipas informacioneve nga ky spital mësohet se gjendja e djalit paraqitet e rëndë, ndërsa i ati, Albert Qato është jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Durrësit ka nisur hetimet për ngjarjen. Nga hetimet paraprake mendohet se shkak mund te jete një hakmarrje e vjetër. Po hetohet për aktivitetin e mëparshëm të Albert Qatos, i cili ka qenë i dënuar në burg.
Kurse në mëngjes, një punonjës i policisë është plagosur me armë zjarri në komunën Dajç të Lezhës.
34-vjeçari Engjëll Marku ishte duke u kthyer në banesën e tij pasi kishte mbaruar turnin e darkës. Ai është qëlluar nga persona të panjohur me armë zjarri dhe ka marrë plagë të rënda në trup. I plagosuri u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe burime nga ky spital bëjnë të ditur se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.
Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, sqaron se ende nuk janë identifikuar autoret e plagosjes se efektivit 34-vjeçar dhe nuk dihen ende as shkaqet.
Po ashtu një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në Fushë Krujë. Një person është qëlluar me armë në qendër të qytetit në rrethana ende të paqarta.
Mësohet se i plagosuri, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur është qëlluar nga një automjet i cili është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Menjëherë i plagosuri është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Fushë Krujës ku po merr edhe ndihmën mjekësore.
Nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes por policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
