E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristiano Ronaldo përplaset dhe shkatërron Ferrarin

Portugezi po kthehej në Mançester, pas ndeshjes ndaj Derbit. Makina e tij u përplas në një tunel

Sulmuesi i Mançester Junajtedit e ka përplasur Ferrarin e tij në një tunel pranë aeroportit të Mançesterit. Ronaldo ishte në timonin e makinës së tij sportive, duke udhëtuar në një tunel nën hekurudhë, kur u përplas me një barrierë. Policia e Mançesterit ka bërë të ditur se Edvin van der Sar ishte me makinën e tij Bentley, pas Ronaldos, por nuk ka qenë përfshirë në aksident. Nga përplasja e madhe, makina e Ronaldos është dëmtuar shumë, por ka qenë fat që vetë futbollisti ka shpëtuar pa dëmtime. "Po përpiqemi të gjejmë saktësisht se çfarë ndodhi; për këtë u bëj apel të gjithëve që kanë qenë dëshmitarë të atij aksidenti, që ta ndihmojnë policinë," - ka shtuar një zyrtar i policisë së Mançesterit. Aksidenti ndodhi në rrugën Altrinçam A538, mes Uilmslovit dhe Helit, në Çeshir, në orën 10:20. Ferrari i kuq i Ronaldos është thuajse i shkatërruar, duke qenë se pjesa ballore ka dalë jashtë përdorimit. Njëra rrotë e makinës u shkëput dhe u gjet rreth 200 metra larg vendit ku ka ndaluar makina. Një dëshmitar, Xhodi Lomaks, i cili po udhëtonte pas makinës së Ronaldos, ka pohuar: "Ferrari shkoi drejt e në mur, rrota e majtë e përparme u shkëput dhe më pas Ronaldo doli nga makina, - tha ai. - U trondita. Ronaldo dukej mirë kur doli nga makina, por ishte paksa i tronditur. U habita se si u përplas Ferrari në atë mënyrë. Ishte i tronditur. Kush nuk do të ishte? Por ishte një aksident i turpshëm," - shtoi Lomaks. Klubi i Junajtedit ka konfirmuar se Ronaldo nuk është dëmtuar nga ky aksident. Një zëdhënës i klubit anglez ka deklaruar se "Ronaldo ka bërë një aksident mëngjesin e së enjtes, por ishte mirë dhe po stërvitej me të tjerët". Policia ka deklaruar se lojtari portugez ka dalë negativ në testin e alkoolit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›