E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriter, siguria e dokumenteve

Siguria e dokumenteve është kapitulli i parë i udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm, andaj në bashkëpunim me EULEX-in dhe me aktorë të tjerë relevantë, jemi duke i shikuar të gjitha çështjet të cilat duhet të zgjidhen, është thënë në takimin e radhës të Grupit punues për liberalizim të vizave.

Koordinatori i këtij grupi, Besnik Vasolli ka thënë se në takimin e së premtes janë diskutuar të gjitha të arriturat, të cilat kanë ndodhur prej 15 janarit deri më 15 shkurt, si dhe punët tjera të cilat janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, e të cilat kanë dalë si kritere kryesore nga takimi i fundit me ekspertë të Komisionit Evropian, i mbajtur prej 26 deri më 29 janar.

Ndër kriteret më të rëndësishme, të dala nga takimi tre ditorë i Grupit punues për liberalizim të vizave me ekspertë të KE-së, Vasolli ka veçuar hartimin e ligjit për pranim, rishikimin e mekanizmave për integrimin e personave të riatdhesuar, si dhe sigurinë e dokumenteve.

“Pjesë tjetër ose kriter i tertë, i cili ka dalë nga ai takim është edhe siguria e dokumenteve. Ju e dini se ky është kapitulli i parë i udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm, domethënë nuk është vetëm lëshimi i dokumenteve, pasaportave biometrike, por komplet mekanizmi i lëshimit të dokumenteve duhet të jetë shumë i sigurt dhe ne jemi duke u marrë me këtë proces, në bashkëpunim me EULEX-in, por edhe me akterë tjerë relevant jemi duke i shikuar të gjitha çështjet që kanë dalë dhe të cilat duhet të zgjidhen”, theksoi Vasolli.

Ai ka shprehur optimizmin e tij se të gjitha kërkesat nga ana e KE-së, do të arrihen brenda këtij gjashtë mujori dhe në këtë mënyrë të dilet me një raport shumë të suksesshëm, i cili do të mundësonte posedimin e udhërrëfyesit zyrtarë për liberalizim të vizave.

Duke komentuar deklaratën e ministrit të MPB-së, i cili në takim e kaluar të grupit punues, kishte thënë se nesër fillojnë negociatat për liberalizim vizash, e të cilën KE të nesërmen e kishte mohuar, Vasolli ka deklaruar se ai mund të ketë qenë një keqkuptim, pasi aprovimi i rekomandimit më 6 dhjetor të vitit të kaluar nga Këshilli i Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së është konsideruar si fillim i këtij procesi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›