"Bechtel&Enka" kundër OSSH-së: Nuk jemi debitorë

Kompania kontraktore që ndërtoi rrugën Rrëshen-Kalimash shprehet se nuk ka borxhe dhe se punon me gjeneratorë
Kukës - Kompania kontraktore "Bechtel&Enka" që ka ndërtuar rrugën Rrëshen-Kalimash dhe aktualisht është e përqendruar në përfundimin e tunelit të Kalimashit ka hedhur poshtë pretendimet e OSSH-së, ku kjo e fundit e ka përfshirë në listën e enteve dhe ndërmarrjeve debitore me emërtimin "Tuneli i Kalimashit". "Kompania "Bechtel&Enka" nuk është debitore e OSSH-së.
Punimet në tunel, por edhe jashtë tij kryhen me ndihmën e gjeneratorëve, ndërsa për shpenzimet e energjisë elektrike në kantierin e Fushë-Dukagjinit ne paguajmë rregullisht", shprehet një prej drejtuesve të kësaj kompanie.
Të njëjtën gjë pohojnë edhe punonjësit e nënstacionit në tunelin e Kalimashit të cilët konfirmojnë faktin se nuk bëhet fjalë për ndërprerje të energjisë elektrike për tunelin e Kalimashit, pasi energjia elektrike vjen deri në nënstacion, por kompania "Bechtel&Enka" nuk ka kërkesë për furnizim me energji elektrike.
Specialistë të këtij nënstacioni bëjnë të ditur për "Shekulli"-n se borxhi ndaj OSSH-së (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes) i përket kompanisë menaxhuese turke "Savronik" apo Ministrisë së Transporteve. Kompania turke "Savronik" ka fituar tenderin për menaxhimin e tunelit të Kalimashit për një periudhë dyvjeçare. Kjo kompani ka kryer menaxhimin edhe gjatë verës së vitit të shkuar që nga 25 qershori deri më 11 tetor, ndërkohë që furnizimin me energji elektrike e ka marrë nga OSSH-ja përmes nënstacionit të ngritur posaçërisht pranë tunelit të Kalimashit.
Me mbylljen e këtij tuneli, kompania turke ka zgjidhur kontratën me OSSH-në për një periudhë 6-mujore. Burime pranë OSSH-së në Kukës bëjnë të ditur se kontrata ka qenë e lidhur me kompaninë menaxhuese të tunelit "Savronik", ku me rastin e largimit si pasojë e mbylljes së tunelit ka bërë kërkesë për ndërprerjen e kontratës për furnizimin me energji elektrike të tunelit të Kalimashit.
Të njejtat burime nuk kanë saktesuar nëse kompania menaxhuese e tunelit të Kalimashit "Savronik" ka paguar detyrimet ndaj OSSH-së për harxhimin e energjisë elektrike në tunelin e Kalimashit, ndërkohë që përflitet edhe fakti se ka një mosmarrëveshje mes kompanisë turke "Savronik" dhe Ministrisë së Transporteve lidhur me pagesën e energjisë elektrike të shpenzuar.