E Diel, 1 Nëntor 2026

Kritikat e ODIHR-it për zgjedhjet ukrainase, të ngjashme me ato për zgjedhjet shqiptare

Radio BBC World Service njoftoi se raporti paraprak i vëzhguesve të ODIHR-it rreth zgjedhjeve në Ukrainë, i publikuar sot, kishte shumë kritika për to, megjithëse ditën e votimit (të dielën) nuk u shënuan incidente dhe, në përgjithësi, mbizotëroi një klimë pozitive. Falë kësaj klime në ditën e zgjedhjeve, qeveria ukrainase kishte shpresuar për një raport më pozitiv nga vëzhguesit e ODIHR-it, njofton BBC. Por raporti i ODIHR-it, pasi vë në dukje klimën pozitive në ditën e votimit, rreshton një seri kritikash rreth përdorimit të administratës shtetërore, mjeteve qeveritare dhe mediave publike nga qeveria gjatë fushatës zgjedhore. Gjithashtu raporti kritikon qeverinë për mungesën e transparencës në hartimin e listave zgjedhore dhe për parregullsitë në procesin e numërimit.

Këto kritika ndaj zgjedhjeve në Ukrainë na kujtojnë kritikat e raporteve të ODIHR-it ndaj dy zgjedhjeve të fundit në Shqipëri. Sidoqoftë, në rastin shqiptar, raportet përfundimtare nuk dolën me përfundimin se rezultati përfundimtar ishte i deformuar. Ndërsa në rastin e Ukrainës, sipas BBC, gjasat janë të mëdha që raporti përfundimtar i ODIHR-it të dalë me përfundimin se partia në pushtet e ka përdorur këtë të fundit për të siguruar avantazhin që është konstatuar deri më tani nga exit poll-et. Një raport i tillë do të ishte një goditje e fortë për shpresat e integrimit të Ukrainës në BE.

E.Zaloshnja 

http://respublica.al/artikuj/2012/10/29/kritikat-e-ohdir-it-per-zgjedhjet-ukrainase-te-ngjashme-me-ato-per-zgjedhjet

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›