Kritikohet në Kosovë, vlerësohet në Durrës

Dramaturgu dhe regjisori kosovar, Ekrem Kryeziu, ka tërhequr kureshtjen e publikut durrsak, me pjesëmarrjen e parë të një filmi të tij në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit.
Pas premierës, që u dha të martën, me fillim nga ora 18, filmi i Kryeziut ka marrë vlerësime të mira nga publiku dhe nga kolegët kineastë. Kjo, me sa duket, i ka dhënë shpresë regjisorit, që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në dramaturgjinë kosovare, që klasifikohet me më të mirët në festival. Në fakt, në një intervistë për Shqiptarja.com, Kryeziu pranoi që synon të fitojë në Festivalin e Durrësit.
Premiera e filmit "Kodi i Jetës", që është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, në Kosovë është dhënë gjatë këtij viti. Mirëpo, edhe pse filmi trajton periudhën e luftës së fundit në Kosovë, mediat në Kosovë e vlerësuan si një film që nuk i ka përmbushur standardet, përkundër shpenzimeve të mëdha për bërjen e tij.
Në fakt, Kryeziu është kritikuar për elemente konkrete të regjisë dhe artit filmik, të cilat ai i cilëson si kode ose gjuhë të panjohur të filmit. Por, sipas tij, kritikat e para në Prishtinë nuk ishin profesionale, meqë në Kosovë mungon një kritikë profesionale në artin kinematografik dhe teatror.
“Po, janë dy-tre zëra tendenciozë, që kanë riprodhuar të njëjtin argument. Nuk kanë folur realisht e profesionalisht me gjuhën e kritikës së filmit. Nuk kanë faj. Në Kosovë gazetarët e kulturës, ndryshe nga ata të ekonomisë ose politikës, kanë më pak njohje për sa u përket tendencave të zhvillimit të artit. Nuk dua t'i fyej aspak. Ata kanë të drejtë të thonë fjalën e tyre, por nuk argumentojnë në këto kritika se, pse ky film nuk ka vlera. Disa thonë se të trajtosh sot çështje të luftës në Kosovë është demode, por kjo s‘është e vërtetë. Çështjet e trajtuara në film janë çështje të Kosovës, çështje të atdheut dhe, si rrjedhim, janë çështjet më të rëndësishme. Kur nuk ka kritikë filmi, gjë që mungon shumë në Kosovë, pavarësisht përpjekjeve të mira për zhvillimin e kinematografisë, nuk pritet që të ketë edhe kritikë profesionale për filmat e rinj. Prandaj edhe shkruajnë gazetat kështu. Nëse do të kishte një kritikë, do të ishte shkruar edhe ndryshe. Kur ka kritikë filmi kjo ndodh, normalisht, e shoqëruar me vërejtje, dhe atëherë marrin kuptim dhe vlerë kritikat”, u shpreh Kryeziu për Shqiptraja.com, kur u pyet lidhur arsyet që zgjuan kritika negative në Kosovë për filmin e tij.
Kryeziu, po ashtu sqaroi se përse pret të triumfojë në Durrës: “... në këtë festival ka një juri profesioniste, që njeh gjuhën dhe ligjet e artit kinematografik, dhe për këtë unë jam i sigurt se do të vlerësohem prej tyre”.
Gjithashtu, në intervistën e dhënë për Shqiptarja.com, Kryeziu vlerësoi lart të gjithë aktorët që luajnë në filmin e tij: Xhevat Qorrajn, Bubulina dhe Çun Lajçin, Mentor Zymberajn, Ilir Tafën, Fatime Sefajn, etj.