E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel për vizitë në Kinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, mbërriti në Pekin për një vizitë zyrtare ku do të ketë takime me drejtuesit më të lartë kinezë.

Vizita e Merkel nisi me takimin me homologun e saj, Wen Jiabao, në kuadër të bisedimeve për rrethin e dytë të konsultimeve ndërqeveritare mes Gjermanisë dhe Kinës, që synojnë thellimin e bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve.

Kryeministri kinez u shpreh se vendi i tij është i interesuar të investojë në Evropë, por me kushtin që të merren parasysh të gjitha rreziqet e këtyre investimeve.

“Kina do të shtojë komunikimin me Bashkimin Europian, Bankën Qendrore Europiane, bankat qendrore të vendeve kryesore të Eurozonës, në mënyrë që të ndihmojë vendet e BE-së të dalin nga kriza e borxhit”, tha kryeministri Wen Jiabao.

Merkel do të ketë një takim me presidentin e vendit, Hu Jintao, kreun e parlamentit, Vu Banguo dhe zëvendëspresidentin Xi Jinping. Kryefjala e gjithë këtyre takimeve pritet të jetë ekonomia. Në këto ditë të vështira për Eurozonën, Kina shihet si një ndër faktorët shpëtues të monedhës së përbashkët, e shumë vende kanë drejtuar sytë nga ajo.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›