E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Shulz: Negociatat me liderët politikë po vazhdojnë

Ndryshe nga sa theksoi gjatë vizitës së tij në Tiranë kreu i Partive Popullore Europiane, Zhozef Daul, se në Shqipëri nuk mund të flitet për krizë politike, kryetari I grupit të majtë, Schulz, vuri në dukje ekzistencën e ngërçit politik, duke thënë se edhe komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, ndante të njëjtat pikëpamje me të.

"Për Shqipërinë, vura re që në konkluzionet e Këshillit Evropian të Ministrave të Jashtëm, gjatë takimit që u mbajt në Luksemburg, u përmend iniciativa e Parlamentit, duke iu referuar angazhimit të z. Daul dhe timit. Unë dhe komisioneri Fyle e kuptuam këtë si inkurajim për të vijuar dialogun me opozitën e qeverinë atje, derisa të arrihet një moment i pajtimit të brendshëm në vend", u shpreh dje Schulz gjatë një konference për shtyp.

Duke iu referuar situatës së pazgjidhur politike, kreu i grupimit socialdemokrat në PE, specifikoi se diskutimet brenda grupimeve kryesore politike në PE po diskutojnë me përfaqësuesit e forcave politike shqiptare për të arritur në një marrëveshje.

"Preferoj mos të bëj vërejtje për këtë apo atë, sepse, siç e dini, të gjitha këto negociata janë gjithmonë të ndjeshme e duhen respektuar interesat e të gjitha partive respektive, të cilat janë shumë heterogjene. Ndaj, ju lutem pranoni përgjigjen time që do ta limitoja në: Po, ne vazhdojmë dhe shpresojmë që të arrijmë një marrëveshje", përfundoi Schulz deklaratën e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›