E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Swoboda: KiE t'i drejtohet komisionit të Venecias

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist kërkoi futjen e opozitës në Kuvend dhe adresimin e çështjes së kutive tek Komisioni i Venecias


TIRANË - Nënkryetari i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian, Hannes Swoboda dhe lideri i opozitës, Edi Rama, zgjidhjen e krizës e shohin tek iniciativa e Parlamentit të Këshillit të Europës për të paraqitur në komisionin e Venecias çështjen e hapjes së kutive të votimit.


Pas takimit që Swoboda zhvilloi me kreun e Partisë Socialiste, doli në një konference për shtyp, ku paraqiti edhe alternativat e tij për zgjidhjen e krizës politike. Ai theksoi se mënyra për zgjidhjen e situatës është rikthimi i opozitës në Parlament dhe më pas nevojitet që Këshilli i Europës t'i drejtohet komisionit të Venecias.


Swoboda kërkoi që kjo të kryhet në mënyrë të menjëhershme dhe për këtë duhet të jetë bashkëpunuese edhe spektri politik mazhoritar, me qëllim që të sqarohet legjitimiteti i zgjedhjeve të 28 Qershorit. "Më pas Parlamenti i Asamblesë së Këshillit të Europës do të shkojë në komisionin e Venecias dhe të paraqesë e të kërkojë në këtë rast që të hapen kutitë.


Për të mos pritur më për muaj të tërë, por për ta bërë këtë në mënyrë urgjente. Unë pres që qeveria të jetë bashkëpunuese, sepse edhe ata janë të interesuar që të vërtetohet e sqarohet legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve", - tha dje Swoboda.


Nënkryetari i grupit socialist në PE i mëshoi faktit se edhe Rezoluta e Këshillit të Europës që përfshin faktorin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për krizën politike duhet të përfshijë edhe komisionin e Venecias, i cili, sipas tij, duhet ta trajtojë çështjen e kutive të votimit mbi bazën e argumenteve. "Rezoluta e Këshillit të Europës është një kuadër, nuk është ajo që është fundi i lojës.


Ajo krijon një kuadër në mënyrë që të përfshihet edhe bashkësia ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje. Kjo natyrisht përfshin edhe komisionin e Venecias për hapjen e kutive të votimit dhe kjo është një mënyrë që komisioni i Venecias të trajtojë këtë çështje në bazë të argumenteve që jepen. Kjo nuk duhet të zgjasë shumë, pasi kërkon një kohë të shkurtër për t'u trajtuar", - u shpreh ai.


Por, sipas Swobodës, angazhimi i komisionit të Venecias për të trajtuar çështjen e krizës politike duhet të mos pengohet nga mazhoranca qeverisëse. Madje, kjo është një nga arsyet kryesore, sipas tij, që duhet ta shtyjnë Këshillin e Europës për të përfshirë komisionin e Venecias për zgjidhjen e ngërçit politik dhe hapjen e kutive.


«Nga ana tjetër, arsyeja e dytë është që ky angazhim i komisionit të Venecias të mos bllokohet nga mazhoranca, nga shumica dhe kjo është një arsye për Këshillin e Europës të përfshijë komisionin Venecias për këtë çështje», - shtoi ai.


Ndërsa lideri i opozitës, Edi Rama, theksoi se këshilltarët e KiE-së mund t'i drejtohen komisionit të Venecias për të arritur në një pamje të qartë mbi çështjen e krizës politike dhe zgjidhjen e saj përmes hapjes së kutive të votimit.


Kjo duhet të kryhet, sipas tij, pasi çështja në fjalë nuk është juridike, por ka të bëjë vetëm me vullnetin politik për transparencën e zgjedhjeve të Qershorit pa e kufizuar objektin e hetimit. «Është shumë e rëndësishme të kuptohet që adresimi i këshilltarëve të Europës tek komisioni i Venecias është në fakt një përpjekje për të trajtuar pikërisht çështjen e hapjes së kutive.


Këshilli i Europës mund t'i drejtohet vetë komisionit të Venecias për të pasur ai vetë një pamje të qartë ose më të qartë për çështjen, sepse për ne çështja nuk është juridike procedurale, për ne çështja është e thjeshtë për vullnetin politik për transparencë nëpërmjet një hetimi kushtetues që i jep pakicës të drejtën të çojë deri në fund hetimin pa e kufizuar forcërisht objektin e hetimit. Këtu nuk besoj se ka asnjë kundërshti», - u shpreh Rama pas takimit me Swobodën.


Gjithashtu, Swoboda shtoi se transparenca e zgjedhjeve duhet të kryhet me qëllimin që zgjedhjet e ardhshme të mos pësojnë të njëjtat probleme si zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit të kaluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›