Marrëveshja me SHBA-në, vijnë 3 vetë nga Guantanamo

Tre ish të arrestuarit nga Tunizia, Egjipti dhe Libia u strehuan në një qendër sekrete në kryeqytet, ku më parë janë mbajtur ujgurët
TIRANË - Shqipëria pranon në territorin e saj tre persona ish të burgosur të Guantanamos. Pas premtimit të Shqipërisë për pranimin e të burgosurve nga Guantanamo, dje mbërritën në Shqipëri nëpërmjet Aeroportit të Rinasit, 3 persona të tjerë që më pas janë strehuar në një qendër sekrete në vend.
Zyrtarët nuk bënë të ditur emrin e vendit, por mendohet se tre personat e transferuar nga Guantanamo janë akomoduar në Qendrën e pritjes së Refugjatëve në fshatin Babrru të Tiranës. Mbërritja e tre personave gjatë ditës së djeshme nga Guantanamo e çon në 11 numrin e ish të arrestuarve të mbajtur në këtë burg që kanë ardhur në Shqipëri.
Ministria e Brendshme tha dje se nga qendra e paraburgimit në Guantanamo u transferuan në Shqipëri, Saleh bin Hadi Asasi, me kombësi tuniziane, Sharif Fati Ali al Mishad, me kombësi egjiptiane dhe Abdul Rauf Omar Mohammad Abu al Qusin, me kombësi libiane.
"Këto transferime u bënë në bazë të marrëveshjes individuale midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare.
Dy qeveritë koordinuan midis tyre mbi modalitetet e transferimit dhe angazhohen të vazhdojnë konsultimet në lidhje me trajtimin e këtyre personave", - deklaroi Ministria e Brendshme në njoftimin e saj zyrtar të dhënë gjatë ditës së djeshme në lidhje me transferimin e tre personave.
Në të njëjtën deklaratë thuhet se transferimi u krye në kuadër të angazhimeve të qeverisë Shqiptare, për të mbështetur administratën e Presidentit Barak Obama në mbylljen e Qendrës së paraburgimit në Guantanamo. Ndërkaq, veç këtyre personave, nga Guantanamo është transferuar edhe një person tjetër, i cili ka mbërritur në Spanjë.
Edhe ky person gjithashtu është transferuar në kuadër të një marrëveshjeje individuale të nënshkruar nga qeveria spanjolle me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mbylljen e qendrës së Paraburgimit, për personat e dyshuar si të përfshirë me organizatën terroriste "Al Kaida".
Kohë më parë, kreu i Qeverisë Sali Berisha kishte pohuar se Shqipëria do të presë ish të dënuar nga burgu i Guantanamos.
"Sigurisht ne nuk mund të presim më ujgurë, sepse marrëdhëniet me Kinën kanë një rëndësi të veçantë", - pati deklaruar kryeministri, duke përjashtuar këtë kategori, nga e cila Shqipëria ka pritur pesë persona. Më parë, pjesë të kësaj kategorie personash kishte pritur Sllovakia që strehoi në territorin e saj së paku katër persona nga ish të paraburgosurit e Guantanamos.
Të transferuarit e djeshëm
Saleh bin Hadi Asasi me kombësi tuniziane,
Sharif Fati Ali al Mishad me kombësi egjiptiane,
Abdul Rauf Omar Mohammad Abu al Qusin me kombësi libiane.
11 persona që janë mbajtur të arrestuar nga qeveria Amerikane në Guantanamo, janë transferuar nga kjo qendër paraburgimi në Shqipëri dhe janë strehuar në vendin tonë në total.
3 është numri i ish të paraburgosurve që janë mbajtur në burgun amerikan në Kubë, të cilët u transferuan dje në mesditë në drejtim të vendit tonë.
5 të etnisë ujgure, ish të arrestuar në këtë burg, janë strehuar nga qeveria shqiptare në vitin 2006, pas hapave të parë për mbylljen e qendrës së paraburgimit në këtë vend.