Kriza ekonomike, FMN trondit qeverinë

Në të paktat raste, FMN preferoi të fliste dje hapur dhe qartë për sa u takonte skenarëve për zgjidhjen e krizës ekonomike. Nëse 2009-n e kaluam pa shumë mund, krahasuar me vendet e tjera, këtë vit parashikohen efekte më të rënda të krizës ekonomike, për pasojë qeveria duhet t’i marrë seriozisht në konsideratë sinjalet sos që vijnë nga grupet e interesit. “është impresionuese se si ekonomia shqiptare ia doli ta përballojë krizën botërore mjaft mirë. Ne vlerësojmë se ekonomia shqiptare është rritur me rreth 3 për qind gjatë 2009-s, që është një nivel mjaft i lartë", u shpreh Gerwin Bell, shefi i misionit të FMN-së. Ndërsa për 2010-n ai parashikonte një rritje diku te 2-2.5 për qind, me kusht që qeveria të marrë disa masa të forta, të cilat në thelb konsistojnë në uljen e shpenzimeve dhe përafrimin e borxhit në nivelin 50 për qind brenda tre viteve të ardhshme. Lidhur me faktin e uljes së shpenzimeve për vitin 2010, Bell paraqiti disa skenarë, që deri diku kreut të Financave nuk i erdhën për shtat. “Mund të frenohet rritja e pagave, reduktimi i investimeve kapitale, kontigjencat, ose të rriten taksat. Këtë e ka në dorë politika juaj, jo unë”, tha Bell. Reagimi i ministrit Bode ishte i menjëhershëm. “Sa u takon taksave, nuk besojmë se rritja e tyre sjell efekte pozitive për ne. Padyshim që do të shikohen me kujdes mekanizmat e reduktimit të shpenzimeve, në mënyrë që t’u rikthehemi ekuilibrave makroekonomikë”, tha ministri. Palët kanë replikuar indirekt përmes përgjigjeve që i jepnin medias në konferencë, megjithatë u pa qartë nënshtrimi i qeverisë përpara Fondit Monetar.
BorxhiNiveli i lartë i borxhit vijon të jetë tema kryesore e diskutimit mes qeverisë dhe FMN-së. Në deklaratën e djeshme, Bell nënvizoi faktin se qeveria duhet ta kthejë nivelin e deficitit buxhetor në masën 3 për qind, nga 7 që ishte në 2009-n, që do të thotë t’i ulë shpenzimet e buxhetit më shumë nga sa është vendosur. “Ne bëmë një ushtrim dhe ia paraqitem qeverisë dhe nëse mbahet ky objektiv i deficitit në 3 për qind brenda 2010-s dhe në periudhën afatmesme, rritja në shpenzime kufizohet në nivelin e 2 për qindëshit, atëherë mund të arrihet një nivel borxhi publik prej 50 për qind të GDP-së deri në vitin 2013”, tha Bell. Por edhe këtu pati një reagim të ministrit Bode, i cili nënqeshte me ironi kur fliste shefi i FMN-së. “Dua të sqaroj njëherë e mirë se deficiti buxhetor në 2009-n nuk ishte 7 për qind, por 4.5 për qind, pa përfshirë privatizimet”, tha ministri. Megjithatë, palët ndanë të njëjtat mendime në thelb sa i takon politikës që duhet ndjekur dhe rolit të Bankës së Shqipërisë. Bode dhe Bell falënderuan njëri-tjetrin për mbështetjen e dhënë, si dhe siguruan për vijueshmëri të bashkëpunimit në të ardhmen.
Sërish ulje?Qeveria e reduktoi buxhetin e 2010-s me 25 miliardë lekë, si masë për të zbutur deficitin buxhetor, por për Fondin Monetar Ndërkombëtar kjo ndërhyrje nuk mjafton. Sipas saj, buxheti duhet të reduktohet sërish, që deficiti të arrijë në 3 për qind, nga mbi 4 që është aktualisht. Kjo do të thotë një ulje akoma më e madhe e buxhetit, rreth 15 miliardë lekë më tepër. Nga ana tjetër, ministri konfirmoi faktin se ka nisur zbatimi i reduktimit të shpenzimeve në masën 30 miliardë lekë, duke ngrirë fondin, kurse në formë ligjore projekti do të miratohet në qershor.
#