E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Tiranës, kuotat e pranimeve për studentët e rinj

Ky propozim i dërgohet MASH-it. Këshilli i Ministrave vendos përfundimisht

Universiteti i Tiranës i ka dërguar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës propozimin për kuotat e pranimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2010-2011. Më pas MASH e dërgon këtë propozim në Këshillin e Ministrave, që është edhe organi final vendimmarrës për këtë çështje. Universiteti i Tiranës, sikundër edhe një vit më parë, ka kërkuar nga ana e MASH-it që t’i vërë në dispozicion 5665 kuota pranimi në total. Prej tyre, 5460 vende janë në dispozicion të kandidatëve nga shkollat e mesme në vendin tonë. Ndërsa 205 vende të tjera janë rezervuar për të rinjtë shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të vendit, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni etj. Fakulteti Ekonomik i UT-së ka edhe numrin më të lartë të pranimeve për studentët e rinj, plot 1140 kuota. Kjo edhe për faktin se përveç katër degëve që ofrohen në Tiranë, janë edhe dy filialet, ai i Sarandës dhe i Kukësit. Një numër të konsiderueshëm prej 880 studentësh është propozuar edhe për Fakultetin e Shkencave Sociale falë nëntë degëve që ofrohen prej tij. Këtë vit në Fakultetin e Drejtësisë do të pranohen 700 studentë, duke e rritur me rreth 100 vende hapësirën për kandidatët e rinj, krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa numri i pranimeve në Fakultetin e Shkencave Sociale është 600. Problemi për këta studentë mbetet edhe këtë vit mungesa e ambienteve. Historia e godinës së prishur të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale nuk mundi të gjejë zgjidhje as gjatë këtij viti akademik. Ndaj dhe studentët e këtyre dy fakulteteve vazhdojnë ta zhvillojnë mësimin në ambiente të marra “borxh”.
Këtë vit Fakulteti i Mjekësisë, një nga më të kërkuarit dhe që zgjedh kandidatët më të mirë në vend, do të pranojë 370 të rinj, përfshirë këtu edhe ata nga trojet shqiptare.

Ndërkohë që në krye të listës për nga kërkesat e shumta të maturantëve mbetet Fakulteti Ekonomik me degët Administrim Biznesi dhe Financë Kontabilitet. Në këtë përfundim kanë arritur edhe drejtuesit e APRIAL-it pas përpunimit të të dhënave të katër maturave shtetërore, sipas parimit meritë preferencë. Secila prej këtyre degëve këtë vit është propozuar që të pranojë 413 kandidatë.
Universiteti i Tiranës ka propozuar edhe 1305 kuota pranimi për studimet me kohë të pjesshme. Edhe në këto studime, një hapësirë e veçantë u është lënë shqiptarëve nga trojet. Për studimet part-time, Fakulteti i Juridikut, një ndër më të kërkuarit, ka planifikuar të pranojë 200 studentë. Dhe 345 të tjerë janë propozuar për në Fakultetin e Infermierisë.

Fakultetet e Universitetit të Tiranës vazhdojnë të qëndrojnë në krye të kërkesave të maturantëve për studimet e larta. Aktualisht drejtuesit e këtij universiteti publik, më i madhi në vendin tonë, janë duke negociuar për fillimin e punimeve të ndërtimit të kampusit të ri universitar, që sipas rektorit Dhori Kule do ta dyfishojë numrin e studentëve. Pas përfundimit të këtij kampusi, ambicia e drejtuesve të UT-së është që të pranojnë rreth 12 mijë studentë. Lidhur me kapacitetet e profesoratit, drejtuesit e Universitetit të Tiranës kanë garantuar se përveç cilësisë më të mirë profesionale që kanë, mund të përballojnë edhe këtë fluks studentësh, si pasojë e punësimeve të pedagogëve të rinj. Nga ana tjetër, këtë vit pritet që ata të kenë sërish mundësira për të pritur mes tyre profesorë jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›