Kriza në KQZ rikthen të hënën në Tiranë Jonathan Moore
Në Shqipëri, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, bëri thirrje që palët politike të përpiqen të konstituojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të hënën e ardhshme në parlament, kur është njoftuar votimi i ligjeve dhe reformave të kërkuara nga Brukseli.
Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur disa herë shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen e krijuar në KQZ e pasojat mbi procesin zgjedhor.
Javën e ardhshme në Tiranë pritet të vijë sërish Drejtori për Europën Qendrore dhe jugore në departamentin e Shtetit Jonathan Moore
Koha në dispozicion për arritjen e një kompromisi për KQZ duket e shkurtër aq më tepër kur pak ditë më parë, vetë zoti Arvizu pranoi se qëndrimet e palëve janë shumë larg njëra tjetrës. Ideja e socialistëve është se ndërhyrja sipas tyre e dhunshme e shumicës me zëvendësimin e anëtarit të LSI, mund të riparohet vetëm me një riformatim të komisionit. Por demokratët e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë, duke akuzuar opozitën se me lënien bosh të vendeve në KQZ kërkon të njollosë procesin.
Kjo çështje pritet të jetë pjesë edhe e bisedimeve të Drejtorit për Europën Qendrore dhe jugore në departamentin e Shtetit Jonathan Moore, i cili parashikohet të rikthehet në Tiranë, në fillim të javës, pas afro një muaji nga vizita e tij e fundit e cila përkoi pikërisht me lëvizjet në Komisionin Qendror.
Të hënën sipas asaj që njoftoi publikisht dje kryeministri Berisha, parlamenti pritet ti japë zgjidhje një tjetër ngërçi, i cili pati pasoja të drejtpërdrejta në procesin e integrimit europian të vendit. Akti i fundit i deputetëve pritet të jetë votimi i dy ligjeve dhe reformës parlamentare të kërkuara nga Brukseli si kusht për të rekomanduar dhënien e statusit kandidat. Palët duket se kanë rënë dakord me propozimin e Lëvizjes socialiste për Integrim ato të miratohen, por të hyjnë në fuqi në shtator./VOA