Kriza në Ukrainë, bisedime mes Blinken dhe Lavrov

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të bisedojnë këtë të martë për krizën në Ukrainën.
Kjo bisedë telefonike midis dy kryediplomatëve vjen në kohën e rritjes së shqetësimeve, pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, që po shihet si përgatitje për një pushtim të mundshëm.
Bisedimet midis Blinkenit dhe Lavrovit janë bisedimet e para direkte të diplomatëve, që prej se Uashingtoni dërgoi përgjigje të shkruar javën e kaluar për kërkesat e sigurisë së Rusisë. Para bisedimeve, Ambasada e Rusisë në Uashington tha se Moska nuk do të tërhiqet para kërcënimeve amerikane për sanksione.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, po ashtu pritet të udhëtojë për në Kiev më 1 shkurt për bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy. “Si një mike dhe partnere demokratike, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e Ukrainës në dritë të përpjekjeve të atyre që tentojnë ta shkatërrojnë atë”, tha Johnson përmes një deklarate./RTSH