E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kroacia nuk do të thërrasë për shërbim ushtarak të rinjtë nga Bosnja dhe Hercegovina

Qeveria kroate ka sqaruar zyrtarisht se nuk do të thërrasë për shërbim ushtarak të rinjtë me shtetësi të dyfishtë – kroate dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës – që jetojnë në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ky vendim vjen pas shqetësimeve të ngritura për një konflikt të mundshëm ligjor mes dy shteteve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë, ligjet e Bosnjës dhe Hercegovinës ndalojnë qytetarët e saj të marrin pjesë në trajnime ushtarake apo të shërbejnë në forcat e armatosura të një shteti tjetër. Nga ana tjetër, ligji kroat e parashikon shërbimin ushtarak si të detyrueshëm për shtetasit e saj.

Për të shmangur ndonjë konflikt ligjor apo ndjekje penale ndaj qytetarëve me shtetësi të dyfishtë, autoritetet kroate kanë vendosur që të mos i thërrasin për shërbim ushtarak ata që kanë vendbanim të përhershëm në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Ministria e Mbrojtjes nuk do t’i nënshtrojë ndjekjes penale shtetasit kroatë që jetojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë, pasi ligjet e këtij shteti ndalojnë shërbimin ushtarak në ushtri të huaj,” thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë, dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Bosnjës dhe Hercegovinës, Slaven Galić, e cilësoi këtë situatë si një konflikt ligjesh mes dy vendeve dhe theksoi nevojën për një qëndrim të përbashkët dhe të harmonizuar në të ardhmen.

Më herët, Kroacia kishte njoftuar se të rinjtë me shtetësi kroate që jetojnë jashtë vendit do të thirreshin për të kryer shërbimin ushtarak nëse nuk e kishin përmbushur më parë këtë detyrim. Megjithatë, për rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, kjo praktikë është pezulluar për shkak të ndalimeve të qarta ligjore që ekzistojnë në atë shtet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›