Ministrja Sala: Modernizim në Spitalin e Traumës drejt një sistemi shëndetësor më cilësor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, Evis Sala zhvilloi një vizitë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës, ku ndoqi nga afër ofrimin e shërbimit për pacientët me trauma shëndetësore, si dhe investimet e kryera në infrastrukturë e pajisje mjekësore, veçanërisht në bllokun operator qendror, i cili është pajisur me aparatura të teknologjisë së fjalës së fundit.
“Modernizimi i Spitalit të Traumës, specifikisht të bllokut operator, aq i rëndësishëm në rastet e traumave shëndetësore, sidomos atyre urgjente dhe pajisja e tij me aparatura mjekësore inovative përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe sigurisë për pacientët”, u shpreh Sala.
Në bllokun operator janë instaluar pajisje të avancuara për Neurokirurgjinë dhe Kirurgjinë e Përgjithshme, që mundësojnë ndërhyrje sa më pak invazive dhe me saktësi maksimale.
Gjithashtu, kabinetet ambulatore të ORL-së, Okulistikës dhe Neurokirurgjisë janë pajisur me aparatura diagnostikuese të reja, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit për pacientët.
Spitali Universitar i Traumës mbetet struktura e vetme spitalore që ofron shërbim të specializuar për traumën dhe politraumën në nivel kombëtar. Numri i pacientëve që marrin shërbim në këtë spital është në rritje të vazhdueshme, përfshirë edhe shtetas të huaj. Aktualisht, në SUT trajtohen mbi 62 mijë raste urgjente çdo vit.
/rtsh.al/