E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia përkrahë Kosovën drejt integrimit në BE

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku priti në takim delegacionin nga Kroacia të
udhëhequr nga Zhelko Jovanoviq, Ministër i Shkencës, Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Kroacisë.

Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Kosovë, avancimi me agjendën Evropiane si dhe dialogu me Serbinë, posaçërisht implementimi i marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut ndërmjet dy shteteve. Me këtë rast, Ministrja Çitaku ka potencuar se pritet përkrahje më e madhe nga Bashkimi Evropian për implementimin e këtyre marrëveshjeve.

Ministrja Çitaku e ngriti çështjen e vizave për shtetasit e Kosovës duke theksuar se vazhdimi i regjimit aktual sipas të cilit shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë në territorin e Kroacisë me vizë shengeni do të ishte shumë i rëndësishëm dhe i favorshëm për të dyja palët.

Çitaku i falënderoi anëtarët e delegacionit për vizitën në Kosovë dhe shtoi se Kroacia ka qenë dhe mbete aleat i Kosovës. Si dhe, popujt e dy shteteve tona kanë miqësi dhe respekt të ndërsjellë për njëri tjetrin. Miqësi kjo e natyrshme jo vetëm për shkak të së kaluarës sonë të përbashkët të luftës për liri, por edhe për shkak të vizionit tonë të përbashkët të përqafimit të vlerave Evropiane.

Kjo marrëdhënie shpjegon edhe nivelin e shkëlqyeshëm të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve tona mike në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Në emër të delegacionit Ministri Jovanoviq tha se “është e rëndësishme për Kroacinë që institucionet e Kosovës të sigurojnë të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e sajë që në këtë proces do ta keni përkrahjen e plotë të vendit tonë. Ne përkrahim rrugën e Kosovës drejt integrimit Evropian dhe do të ju qëndrojmë pran si miq të hapur dhe të sinqertë”.

Sa i përket regjimit të vizave Jovanoviq potencoi se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje ndërmjet dy shteteve që do të ofroj lehtësira për Kosovarët të cilët posedojnë viza shengen.

Gjithashtu, delegacioni kroat përgëzoi Çitakun dhe Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e institucioneve stabile, ndërtimin e urave të paqes dhe bashkëpunimit ndërmjet kombeve sepse kjo është rruga që Kroacia do ta përkrahë.

Ministrja Çitaku potencoi se në pesë vjetët e pavarësisë, Kosova ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret afatshkurtra nga Studimi i Fizibilitetit dhe po vazhdojmë punën për të arritur Marrëveshjen për Stabilizim dhe Associim me BE-në./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›