E Diel, 1 Nëntor 2026

Nesër sërish protestë kundër faturave të energjisë elektrike

Në Prishtinë, sërish nesër do të protestohet kundër faturave të energjisë elektrike. Këtë herë ajo do të jetë gjithëpopullore, u tha në një konferencë për media, nga grupi i qytetarëve të organizuar.

Grupi i qytetarëve të organizuar kundër faktuarve të fryra të KEK-ut, kanë ftuar qytetarët që nesër në orën 12 në një protestë gjithëpopullore, të kundërshtojnë veprimet e pahijshme të kësaj korporate të bëra deri më tani. Teuta Hoxha tha se kërkesat e qytetarëve nuk janë përmbushur aspak.

“Kërkesat tona janë të njëjta për të cilat kemi protestuar edhe më herët. Përkundër raportit të ZRRE që është i njëjtë me dyshimet e qytetarëve që i kanë pasur për hajni nga ana e KEK-ut, kjo e fundit nuk i ka ndaluar ç’kyçjet e qytetarëve nga rrjeti”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, kjo korporatë ka larguar njerëz të pafajshëm nga puna.

“Janë larguar 6 punëtorë dhe 100-ve u janë shqiptuar vërejtje me shkrim. Këta punëtorë janë të thjesht të nivelit të mesëm dhe si të tillë vetëm se i kanë zbatuar urdhrat e urdhërdhënësve të cilët po ashtu vazhdojnë të jenë punëtorë të KEK-ut dhe dëmi është shkaktuar nga ata”, tha Hoxha.

Ky grup ka ftuar në protestë edhe të gjitha subjektet politike, Avokatin e Popullit, OJQ-të e të tjera. Kjo është protesta e pestë me radhë e qytetarëve që protestojnë kundër Korporatës Elektro Energjetike të Kosovës./Indkesonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›