Kroacia, vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian

Në mesnatë, Kroacia do të bëhet vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian.
Ngjarja ndodh gati dy dekada pas përfundimit të luftës së Kroacisë për pavarësi nga ish-Jugosllavia dhe pas disa vjetësh reforma. Vendi me 4.4 milionë banorë bëhet shteti i dytë ish-jugosllav që i bashkohet BE-së, pas Sllovenisë, e cila është anëtarësuar në vitin 2004. Festa, e cila do të ndiqet nga personalitete të shumta evropiane, do të mbahet sonte në qendër të Zagrebit. Në mesin e liderëve që po marrin pjesë në këtë ceremoni është presidentja Jahjaga dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidentja Jahjaga ka përgëzuar në emër të popullit të Kosovës, Kroacinë për suksesin historik, ndërsa ka shtuar se anëtarësimi i shtetit të Kroacisë, do të përshpejtojë integrimin e pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor në BE. Në ceremoninë që do të mbahet sonte në Zagreb me rastin e anëtarësimit të Kroacisë në BE, do të marrin pjesë edhe shumë shtetas të tjerë nga Evropa dhe bota, ndër ta edhe kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama. Anëtarësimi i Kroacisë në BE ndodh në kohën kur ajo tashmë ka hyrë në vitin e pestë të recesionit dhe ka një papunësi prej 20 për qind./Indeksonline/