E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronika e këtij qershori të trazuar

Ndarja nga jeta këto ditë e njërit prej mjeshtrave më të mëdhenj të historisë së futbollit shqiptar - Medin Zhega, i japin këtij qershori tisin e një trishtimi, ku ngjarjet e tjera, megjithatë, natyrshëm do të vazhdojnë rrokullisjen e tyre, në përjetësi. I parashikuar si një tufë mbresash emocionale për vlerat e deritanishme të finaleve të këtij europiani, ky koment i kësaj jave, megjithatë, nuk ka se si të mos jetë një lloj homazhi për njërin prej protagonistëve më të shquar të futbollit tonë, Medin Zhega, të cilin dua ta risjell edhe një herë në kujtesën e të gjithëve, nëpërmjet përjetimeve të mia si gazetar, në kohën e bashkëpunimit me të, kur ai ishte futbollist, e pastaj si trajner e specialist, role që ka ditur t’i realizojë profesionalisht dhe në nivelin më të lartë edhe në arenën ndërkombëtare.
Do të kujtohet gjithmonë si një djalosh energjik, shtatlartë e trupdrejtë, që dukej se vetëm vraponte e nuk dinte të ndalej. Din Zhega, një sulmues teknik dhe golashënues i shquar që dinte ta përdorte goditjen me kokë si askush tjetër, i shfaqi shenjat e talentit të tij që me Vllazninë e vendlindjes, për ta përsosur pastaj artin futbollistik tek Dinamo si dhe në ekipin tonë përfaqësues, duke mbetur vazhdimisht ky futbollist shkodran një model për të gjithë kohën, sa ishte në fushën e lojës. Kishte të drejtë të krenohej me karrierën e tij brilante dhe nuk lejonte asnjeri që të shkelte mbi të. Gjatë transmetimit të një ndeshjeje direkt nga Belfasti, (andej nga mesi i viteve ‘90-të, kur luanim atje ndaj përfaqësueses vendase), tek përmendja ashtu nxitimthi, historikun e ballafaqimeve të futbollit tonë ndaj veri-irlandezëve, golin e Zhegës në atë barazim të largët të 1966-ës, ia adresova gabimisht një tjetër lojtari të formacionit tonë të atëhershëm, fakt ky që e pat mërzitur shumë protagonistin tonë! Diku, aty pranë zyrës së tregtisë së jashtme ku Din Zhega punonte si ekonomist, një ditë pas kthimit tim, sa më takoi, nuk iu durua pa më thënë gjithë keqardhje, se nuk ma falte atë gafë që kisha bërë. “Dhe kush? Ti, - më tha, - që më ke intervistuar sa e sa herë, duke ma kujtuar shpesh atë gol, që ka bërë histori në futbollin shqiptar?!” Ishte sa i sinqertë, po aq edhe korrekt me të tjerët dhe veten. Për golin në fjalë dhe vlerat e tij kishte të drejtë që të mburrej, sepse e pat shënuar në portën e Xheningsit të famshëm dhe ndaj formacionit të Xhorxh Bestit, njërit prej futbollistëve më të shquar të botës për at’ kohë!... E, megjithatë, ashtu njerëzor dhe i ndershëm siç ishte, nuk më mbajti aspak mërì për atë lapsus që pata bërë gjatë transmetimit nga Belfasti, që sipas tij, mund të mos ishte fort i rëndësishëm për atë që transmeton, por për vetë protagonistin peshonte mjaft…
Dihen tashmë sukseset e Din Zhegës si futbollist, titujt e fituar me klube dhe Trofeu Ndërkombëtar “Rotmans” i Maltës në vitin 2000 kur ai drejtonte Kombëtaren si trajner i saj, ndërkohë, në këtë përkujtim për Mjeshtrin e Madh doja të sillja ndërmend një tjetër element të sinqeritetit e të thjeshtësisë së tij, që e bënin aq njerëzor këtë personalitet të futbollit tonë. Në historinë e 14 ndeshjeve që kemi zhvilluar me Gjermaninë, (më shumë se ndaj çdo përfaqësueseje tjetër!), duke qenë kundërshtar i tyre si futbollist, por edhe si trajner, (një rast i pakrahasueshëm ky për ndonjë tjetër protagonist të futbollit shqiptar), Medin Zhega, i cili edhe disa vite të jetës së tij i pat kaluar në tokën teutone ku qe kualifikuar si specialist, natyrshëm që ushqente një simpati të veçantë për futbollin gjerman. Për gjithë këtë bagazh të jashtëzakonshëm që kishte, e pata ftuar si bashkëpunëtorin tim, në rolin e analistit, gjatë finaleve të Botërorit 2002, kur si drejtues i transmetimeve dhe emisioneve të organizuara me at’rast nga Televizioni Shqiptar, mund të thuash se vendosëm një lloj rekordi, sepse gjatë atij muaji, nëpërmjet analizave e komenteve tona, na u desh që të dilnim mbi 100 orë në ekran! Ishte një prej atyre emisioneve maratonë, kur parashikimin e Din Zhegës për fitoren e Gjermanisë n’ato finale, e pata kthyer në një bast, të cilin në se e humbte, do të detyrohej të ndahej nga kravata e tij simbolike, një dhuratë e bukur ajo për trajnerin tonë nga përfaqësuesja gjermane e futbollit, në njërën prej ndeshjeve kur ai ishte ballafaquar me të… Që prej asaj dite, ajo relike ku spikat dukshëm stema e Bundesligës, sikur pret të kurorëzohet me një trofè tjetër, gjë që me sa duket po shkon në rrugën e duhur këto ditë, kur, ndërsa Dini na jepte lamtumirën, nga ana tjetër, skuadra gjermane nëpërmjet taktikës së saj të përsosur dhe forcës kolektive, ka mundur të sigurojë e para biletën për në çerekfinalet e Euro 2012, duke fituar ndaj Portugalisë së Kristiano Ronaldos dhe Holandës së yjeve si Shnajder, Roben e Van Persi. Kujtimet që më sjellin pranë mikun e mirë, por tashmë të munguar, dhe realiteti i këtij europiani të futbollit, më shtyjnë të besoj se, ai bast i 10 viteve më parë, po shërben pikërisht sot, si një hajmali-ogurmirë, që Medin Zhega e pat vënë që atëherë, për fitoren e kësaj skuadre, vlerat e së cilës ai i respektonte aq shumë! Ndërkohë, kronika e këtij qershori, trishtues prej lamtumirës së Medin Zhegës, është mbushur me shumë ngjarje të tjera, disa edhe trazuese, ku megjithatë, sherrnaja e madhe politike që spikati këto ditë, për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, nuk ka mundur ta prishë festën europiane të futbollit, që edhe ne shqiptarët po e shijojmë në mënyrën tonë, plot zhurmë e tam-tame, sikur të ishim edhe ne protagonistë të saj…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›