E Diel, 1 Nëntor 2026

Ernest Tushe: Në '78-ën dashurova vajzën e ambasadorit italian në Tiranë

Ishte viti 1978. Djaloshi 18-vjeçar nga Tirana, Ernest Tushe, guxoi të dashurojë në "Rrugën e Ambasadave", - siç njihej ndryshe në kohën e periudhës komuniste blloku ku ishin dislokuar banesat e trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. Por djaloshi i rrugës "Vasil Shanto", jo vetëm që 'shigjetën e dashurisë' e drejtoi mbi vajzat enigmatike dhe të survejuara, por ai goditi pikërisht mbi atë të kryediplomatit të ambasadës italiane të asaj kohe, Xhuzepe Sferlazzo. Pak kohë pas lidhjes së Nest Tushes me Karla Sferlazzo, jehona kaloi dyert dhe rrugët e lagjes ku lindi dashuria platonike. Çudia, për faktin se një djalosh guxoi të "gjuajë" në rrugën e ndaluar, mori jehonë në të gjithë Tiranën. Tashmë, ai fakt ishte mësuar edhe në shtëpinë e studentit të Ekonomikut. Gjithsesi, një kontakt i babait të djaloshit me autoritetet e Degës së Brendshme të kryeqytetit për t'i vënë në dijeni mbi atë që po ndodhte me të birin, qetësoi situatën alarmante të familjes, pasi zyrtarisht ai nuk mori shqetësim shtetëror. Pas kësaj, Nest Tushe do të bënte edhe takimet me familjarët e Karlës së tij të shtrenjtë, të cilët ishin vetë ambasadori Xhuzepe dhe e shoqja e tij Enza Sferlazzo, të cilëve ai do t'u thërriste ashtu siç vazhdon dhe në ditët e tanishme, me emrat e shumrespektueshëm "baba" dhe "mama". Kureshtarët e shumtë gjatë xhirove të mbrëmjeve në bulevardin kryesor të kryeqytetit, asnjëherë nuk do të rrinin pa ndaluar hapin teksa shikonin çiftin e "çuditshëm", që kishte thyer tabutë e sistemit, teksa ecnin shpengueshëm të veshur me rrobat që i lakmonte gjithë rinia e asaj kohe. Vajzat ndalonin me admirim kur kalonte çifti "Tushe", pa guxuar të shkëmbenin asnjë fjalë me shokun e tyre të hershëm, për arsyen se nuk kishte asnjë mëdyshje, se ishin nën vëzhgimin e rreptë dhe tepër të mistershëm të Sigurimit të frikshëm të Shtetit. Por jo vetëm ato, por edhe ish-shokët e Nestit nuk do të guxonin më të flisnin lirshëm me të, ndërsa nuk do të mungonin rastet që ta prisnin poshtë shkallëve të pallatit për t'i kërkuar një çamçakëz, si përdoruesi më magjik për rininë e kohës. Gjithë ajo situatë, sa e çuditshme aq dhe enigmatike, do të arrinte kulmin kur vajza e ambasadorit do të përfundonte në banesën e ndodhur në rrugën "Vasil Shanto", saktësisht mbrapa shkollës me të njëjtin emër, ku jetonin prindërit arsimtarë të të dashurit të saj tiranas. Shokimi për mënyrën e jetesës pa mjetet e nevojshme elektronike të kuzhinës dhe të funksionimit të një banese normale, bënë që pak ditë pas asaj vizite, të përfundonte poshtë pallatit kamionçina karakteristike e ambasadës italiane, në të cilën ishte vendosur televizori me ngjyra, si dhe lavariçja dhe frigoriferi modern. Shkarkimi i tyre dhe pjesëmarrja e gjerë e komshinjve të tyre për të kontribuar në transportimin e pajisjeve të ëndërruara dhe të parealizueshme për shqiptarët e zakonshëm, s'kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e Sigurimit të Shtetit, i cili filloi të 'shqetësohej' nga karshillëku i adoleshentit të guximshëm. Kështu, një vit pas asaj lidhjeje, - kur një fakt të tillë e konstatonte gjithë Tirana, aq sa filloi ta shikonte jo më me çudi por me zili, - dhe pikërisht në 11 nëntor 1980, sapo doli nga dyert e ambasadës ku kishte përcjellë të dashurin e tij Karla, pas një xhiroje që kishin bërë në bulevardin kryesor të Kryeqytetit, u prangos dhunshëm nga Sigurimi i Shtetit, për t'u dërguar me urgjencë në qelitë e burgut të frikshëm, që mbante numrin e njohur 313. Pas kësaj, do të vijonin 11 muaj hetuesi intensive nën akuzat më të tmerrshme, duke filluar nga "agjitacioni e propaganda" e deri te "agjentura dhe tradhtia e lartë e atdheut", gjë që kërkonin me patjetër ekzekutimin e padiskutueshëm të Nest Tushes, të shkatërruar jo vetëm fizikisht por edhe moralisht. Ishte një ndërhyrje nga Haki Toska, ajo që mundi ta shkëpuste atë nga dhëmbët e vdekjes së sigurtë ku e kishte çuar montimi i hetuesisë së pamëshirshme. Pas kësaj, për të do të vijonin vitet e burgut në Spaçin e tmerrshëm, ndërkohë që mbi familjen, filloi persekucioni i tmerrshëm. Ambasada italiane këmbëngulte me forcë të madhe për lirimin e djalit, të bërë dhëndër i ambasadorit. Pas refuzimit për lirim të tij, ambasadori Xhuzepe kërkoi largimin e menjëhershëm nga Shqipëria në mënyrën më protestante, duke thënë: "Refuzoj të punoj në vendin e zi".
Pas viteve '90-të, kur mundi të dilte nga burgu politik, me shumë vështirësi, duke mbajtur mend adresën e banesës në Itali të mësuar dikur nga ish-e dashura e tij, Nest Tushe mundi të lidhej me anën e letrave me familjen e Karlës, gjë që u shoqërua me vajtjen e tij në Itali. Por tashmë ajo ishte e fejuar. Gjithsesi, familja dhe vetë Karla, rilidhën miqësinë e hershme, por tashmë vetëm mbi baza respekti reciprok. Pikërisht sot, kur është mbushur plot 35 vjet nga ajo ngjarje e çuditshme, zbriti në Rinas i vëllai i Karlës, Antonio Sferlazzo, i cili bujti në familjen e ish-të dashurit të dikurshëm të motrës së tij. Por çfarë tregon për lexuesin e gjerë të "Gazeta Shqiptare", vetë ish- adoleshenti i dikurshëm Nest Tushe, ndërkohë që pasohet edhe nga rrëfimet e vetë Antonios, mbi atë që kaloi familja për atë çka ndodhte me djalin e dashuruar. Madje, Antonio dëshmon për kohën e arrestimit të të dashurit të motrës, se, pasi nuk morën ndonjë sinjal për vite të tëra deri sa u rrëzua komunizmi në Shqipëri, ata mendonin se Nesti ishte ekzekutuar. Por gjithsesi, familja e tij e ka ndjerë veten gjithmonë përgjegjëse për atë që i ndodhi djaloshit tiranas, për faktin se e pësoi vetëm për lidhjen që bëri me vajzën e tyre, gjë që u ka shtuar dhembshurinë dhe miqësinë, mbështetur mbi historinë që ka kaluar. 

INTERVISTA
Zoti Tushe. Tashmë opinioni i gjerë është njohur pak a shumë me ngjarjen tuaj, kur ju patët guximin dhe kurajën të dashuronit pikërisht në zemrën e lagjes që quhej qendra e agjenturës së huaj, siç ishte lagjja ku ishin vendosur banesat e punonjësve të ambasadave apo dhe vetë selitë e tyre. Jo vetëm kaq, por në atë kohë ju arritët të shtinit në dorë vetë të bijën e ambasadorit të Italisë, Xhuzepe Sferlazzo.
Kush ishit juve në atë kohë dhe si ndodhi ngjarja, që besoj se ka tronditur superstrukturën politike të shtetit të asaj kohe?
Unë kam lindur në vitin 1961 këtu në Tiranë. Familja ime, në kohën që bën fjalë ngjarja e shumëdiskutuar, ka banuar në lagjen Nr.8 të ndarjeve administrative të asaj kohe, ndërkohë që sot quhet lagjja Nr.5. Për të mos lodhur lexuesin, po them se saktësisht banesa ime ndodhej mbrapa shkollës "Vasil Shanto". Kemi pasur një apartament prej afërsisht 70 metrash katrorë, në katin e dytë të një pallati të asaj kohe. Babain dhe nënën i kam pasur pedagogë, ndërsa vëllai im ka qenë mjek pediatër. Babain e kam pasur në shkollën teknologjike ndërsa nënën në shkollën "20 Vjetori i Çlirimit".
Nga i keni pasur prindërit me origjinë?
Babai im i quajtur Adil Tushe, ishte nga Gjirokastra, madje nga lagjja e njohur "Palorto", ndërsa nëna ime e quajtur Vera ishte nga zemra e Labërisë, nga Vlora.
Zoti Nesti. Si ka lindur dashuria juaj historike?
Dashuria ime e asaj kohe, apo më mirë të shprehem me termin dashura fatkeqe, - se ngjarja për të cilën flasim, nga dashuri u kthye në tragjedi, - ka ndodhur saktësisht në vitin 1978 kur unë sa kisha mbushur 17 vitet e jetës sime. Pra isha një adoleshent me plot kuptimin e fjalës, por që për hir të së vërtetës po të them se veprimin që kam bërë e kam bërë me koshiencë të plotë dhe se nuk jam penduar asnjëherë, me gjithë pasojat që pata, aq sa për punë çastesh më ka shpëtuar jeta në fije të perit, pasi u projektova të ekzekutohesha në tunelet e Linzës, ku pushkatoheshin të padëshirueshmit e sistemit.
Unë kam qenë student i vitit të parë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës.
Dhe ku u njohët me vajzën e ambasadorit?
Në kohën që kam qenë student luaja me të rinjtë e ekipit "Studenti". Bënim stërvitje në fushën e "Studentit", e ndodhur saktësisht aty ku sot është Pallati i Kongreseve. Duhet ta kesh pasur parasysh se, para se të bëhej "Pallati i Kongreseve" aty ka qenë kompleksi sportiv "Studenti". Aty kanë qenë fushat e basketbollit dhe ngjitur tyre ishte fusha e tenisit, si dhe palestra e universitetit.
Juve loznit basketboll?
Po, basketboll. Isha me të rinjtë e ekipit "Studenti". Ne përgatiteshim apo bënim stërvitje çdo pasdite në fushën e basketbollit, ndërkohë që këto vajzat e ambasadave loznin tenis te fusha e tenisit ngjitur me fushën tonë.
Ju, e dinit që ato ishin të ambasadave?
Ne e dinim që ishin të huaja, por jo se ishin të punonjësve të ambasadave, dhe nuk mund ta merrnim me mend. Por që ishin të huaja nuk donte shumë mend për ta kuptuar, se në atë kohë të huajt dalloheshin lehtë, që nga edukata dhe deri te mënyra e të veshurit. Mua, ndërsa bëja stërvitje, më tërhoqi vëmendjen njëra prej tyre, e cila, kur e konstatoi si duket shikimin tim të tepruar, filloi të reagojë.
Si ishte shikimi juaj dhe si reagoi?
Sa shkonim të visheshim apo kur zhvisheshim për stërvitje, ku vendin e kishim afër vajzave që loznin tenis, kërkoja me sy vajzën elegante dhe simpatike aty te 16 vitet dhe i fiksoja sytë sa më shikonte, për t'i dhuruar buzëqeshjen e kuptimtë. Por dalëngadalë edhe ajo filloi të më kërkonte me sy çdo ditë, kështu që ne e bëmë të udhës që të shkëmbenim buzëqeshje me njëri-tjetrin dhe kjo na pëlqente shumë. Në një moment topi i tyre ra në fushën tonë, ndërkohë që unë e mora t'ua jepja. Në këtë çast vjen vajza që unë kisha pikasur për të marrë tropin. Por duhet të përfytyrosh se ajo nuk erdhi në fushën tonë, por u takuam të krye të fushës, ku takohen dy fushat, ajo e basketbollit me atë të tenisit. Aty i dhashë topin dhe ndërkohë i kërkova muhabet, duke e pyetur me një anglishte të çalë nëse ishte angleze. Ajo, duke pasur një kulturë të admirueshme dhe për të më respektuar më shumë, kur unë kisha dëshirë të bisedoja, aq më shumë që prej ditësh shkëmbenim shikime dhe buzëqeshje, duke hedhur topin te shoqet që të mos pengonte lojën ma ktheu italisht se, ishte italiane. Pas kësaj, edhe unë fillova të flisja disi italisht, pasi kisha pasur fat, se ima atë dhe ime më e dinin shumë mirë italishten dhe kjo kishte bërë që në kurset e mia familjare të përfitoja jo pak prej asaj gjuhe, që me kalimin e kohës do të perfeksionohej shumë mirë.
Pra, filluat komunikimin italisht?
Po. Fillova ta pyesja dhe të më pyeste.
Nuk flitej për bisedë dashurie, apo jo?
Absolutisht jo. Ajo ka ardhur në mënyrën më se normale, pasi i tillë u bë afrimi ynë. Unë, në atë ditë dhe në ditët që do të pasonin, do ta pyesja rreth Italisë, dhe edhe ajo do të bënte shumë pyetje kurioze.
E mësuat se ishte vajza e vetë ambasadorit italian në Shqipëri?
Mësova se ishte vajzë e një familjeje të ambasadës, pra se babai i punonte në ambasadë, por, se ai ishte vetë ambasadori, këtë e kam marrë vesh shumë vonë. Quhej Karla. Kështu, ndërsa bisedonim përditë si shkonim në fushë, - se mbaj mend që fillimisht saktësuam se kur bënim stërvitjet reciprokisht, madje duke ardhur të dy paralelisht në të njëjtat orare, - komunikimi ynë u bë i përditshëm, aq sa kur nuk takoheshim apo kur nuk shikoheshim e ndjenim fort mungesën e momentit, që për ne u kthye në një moment magjik.
Pas kësaj, i thatë se e dashuronit?
Ndodhi dhe diçka e çuditshme mes nesh para se t'i shprehja dashurinë. Në një prej ditëve kur po bisedonim në anë të fushës, aq sa mund të na lejonte koha, momenti dhe situata, vura re që ajo po më shikonte me vëmendje atletet. Ishin ato atletet me rrobë të gomuar që prodhonte në atë kohë Durrësi. Unë, kur e pashë që më kishte ngulur sytë te këmbët, e pyeta i çuditur se çfarë po shikonte ashtu. Ia bëra këtë pyetje, pasi me mendjen time mendoja se isha në rregull dhe i kompletuar me uniformën për stërvitje. Ajo më tha se po më shikonte atletet dhe se nuk e përfytyronte dot se çfarë atletesh ishin. Unë, si me mburrje i thashë se prodhoheshin në vendin tonë, gjë që e bëri të buzëqeshte me naivitetin tim.
Edhe ajo ishte veshur me uniformë sportive, apo jo?
Patjetër. Por jo me uniformë tutash trikotazhi si ato me të cilat mburreshim neve, por me firmato dhe me atlete ADIDAS. Po ku merrnim neve vesh nga llojet e firmave. Sigurisht, gjërat e mira, sidomos ato të jashtmet, i pëlqenin shumë rinisë së asaj kohe, por dinim vetëm se ishin të jashtme dhe nuk kishim informacion për firmat. Por, ndërsa biseduam rreth atleteve, kaloi biseda edhe në shumë detaje të tjera, që më së shumti ishin kuriozitete reciproke për të shtuar informacionet për rininë e dy vendeve. Por pas disa ditësh ajo më thotë se do të mungonte rreth dy javë, pasi do të shkonte në Itali me pushime. Pas kësaj unë u fiksova nga fusha e tenisit, se më dukej se mungonte diçka e shtrenjtë në atë ambient. Më dukej çdo gjë kot dhe bosh. Të them të drejtën, ato dy javë m'u dukën muaj të tërë, deri sa nuk më besohej kur e pashë sërish teksa gjuante topin e tenisit. Ndërkohë që unë shkova dhe po ndërroja rrobat për të dalë në fushë, Karla la menjëherë lojën dhe u afrua drejt meje me një çantë sportive në dorë. Kur u takuam, më zgjati çantën duke më thënë se ato ishin për mua.
Çfarë ishin?
Ishte një komplet sportiv i ekipit të famshëm të Antoninit të Peruxhias. Ishin që nga atletet, tutat, bluza, getat e deri te të mbathurat. Pra ishte çdo gjë në çantë.
U mrekullova sa s'bëhej. Ku ishte parë dhe ëndërruar që të të vinte në dorë, i blerë direkt në Itali, kompleti i një skuadre të njohur italiane. Unë i thashë një herë se çfarë ishin ato dhe Karla ma ktheu se ishin blerë posaçërisht për mua, pasi nuk mund të më shikonte me atlete si ato që kisha unë, që ne i mbanim më të mirat. Nuk durova më, por i vesha menjëherë dhe shkova në fushë për të luajtur. Të gjithë shtangën. Nuk ishte e thjeshtë të të shikonin me atë uniformë të ardhur nga jashtë. Isha bërë i tëri i kuq. Një e kuqe e bukur dhe material ekstra. U habitën të gjithë dhe më shikonin me shumë admirim.
Kjo ishte ajo që ndodhi para se t'i shprehje dashurinë?
Po. E para, se largimin e saj e ndjemë të dy dhe kuptuam se e donim shumë njëri-tjetrin. E dyta është se, kur pashë që ajo më solli dhuratën e rrallë, që për rininë e asaj kohe ishte një ëndërr e parealizueshme, kuptova se lidhja jonë ishte bërë e fuqishme, kështu që i shpreha dashurinë në mënyrën më normale, duke i thënë thjesht se, nuk mund të rrija më larg saj, se doja t'i rrija pranë jo vetëm në kohën e stërvitjes por në çdo kohë. Nuk duhet ta shuanim këtë dashuri që kishte lindur në mënyrë kaq të befasishme, por me kaq sinqeritet dhe shkëlqim në zemrat tona.
Si t'u përgjigj?
Me një përgjigje shumë kuptimplotë dhe shumë të çiltër. Më tha se kjo nuk kishte diskutim dhe as ajo nuk mund të rrinte dot larg meje. Ishte një përgjigje që më lumturoi më shumë, se më çoi peshë.
Në shtëpitë tuaja, nuk dinin gjë për këtë lloj afrimi, që për kohën duhet të pranojmë që ishte një tabu?
Nuk dinin gjë fare. Madje unë po të them me sinqeritet, se deri në atë moment unë nuk dija që Karla ishte vetë vajza e ambasadorit italian. Pra, po ndodhte një çudi si në filma. Vetëm pas kësaj dhe pas takimit me të ëmën e Karlës, unë do iu thoja në shtëpi, gjë që e detyroi babain tim të shkonte në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës për të bërë prezent faktin dhe të sqaronte pozicionin tim, të atij momenti dhe për të ardhmen.
Nuk e di nëse ishit ndopak i frikësuar nga Sigurimi i Shtetit, i cili nuk mund të mos survejonte një të huaj që po lëvizte në kryeqytetin e vendit?
Unë isha adoleshent dhe nuk dija se si dhe qysh funksiononte Sigurimi. Është ajo mosha naive dhe e sinqertë që mendon se, kur unë nuk bëj ndonjë gjë të keqe ndaj vendit tim atëherë përse duhet të shqetësohem. Vetëm më vonë e kam mësuar se Karla dhe unë bashkë me të, survejoheshim në çdo vend. Por që, shqetësimin e kisha zero, për faktin që ju tregova, pasi isha i bindur se s'po bëja asgjë kundër vendit tim. Madje unë, jua them me sinqeritet, nuk dija as se ku ndodhej burgu si objekt. Atë e mësova vetëm kur u arrestova një vit më mbrapa si kishim legalizuar lidhjen me Karlën. Edhe survejimin e mësova kur im atë shkoi në policinë e Tiranës dhe u shpjegoi problemin, nëse ishte shqetësim apo jo, dhe ata i ishin përgjigjur se e dinin shumë mirë dhe s'kishte problem.
Jemi te momenti që ju i shprehët dashurinë dhe ajo pa kurrfarë ndrojtjeje ju tha se ishte shumë dakord. Si vijoi marrëdhënia pas kësaj?
Pas dy-tri ditësh, jo më shumë, Karla ime e shtrenjtë që më kishte robëruar të tërin më tha se do të më prezantonte me mamanë e saj. E prita me kënaqësi këtë propozim të sajin, duke i thënë se kisha edhe unë shumë qejf që të njihesha. Kështu bëmë. Kur të nesërmen e asaj dite më solli mamanë në tavolinë, u kënaqa sa s'bëhej.
Ku e takuat?
Atëherë uleshim në barin e hotel "Dajtit". Kur shkova me Karlën, ndërkohë që ajo na priste në bar, pashë që m'u shfaq përpara një grua rreth të 55-ave. E hollë, e gjatë, shumë e bukur dhe me kulturë të jashtëzakonshme. E kisha mësuar nga Karla se quhej Enza Sferlazzo. Madje për koincidencë im bir sot quhet Enzo, për hir të së ëmës së Karlës, të cilën që nga ai moment dhe deri më sot unë e kam thërritur "mama", si dhe të atin e saj, Xhuzepen, që e kam thërritur "baba".
Juve, akoma nuk e kishit mësuar se ajo ishte vetë e shoqja e ambasadorit?
Absolutisht jo. E kam mësuar shumë më mbrapa asaj dite.
Çfarë biseduat?
Si u takuam, nuk i fola gjatë, por shkurt, ato që i kisha thënë të bijës, duke përsëritur se Karlën e doja shumë dhe nuk mund të bëja dot pa të dhe se do të dija ta respektoja denjësisht, siç e meritonte një krijesë magjike si ajo.
Si t'u përgjigj e ëma?
Ajo më tha se i kishte folur shumë Karla dhe se ishte dakord që lumturia jonë të vazhdonte, porse më bëri një paralajmërim, duke më thënë: "Nuk e di nëse e ke menduar mirë, se mos të ndodh ndonjë gjë. Sigurimi i vendit, a do ta lejonte lirinë e një veprimi të tillë?".
Unë iu përgjigja se nuk kishte pse mendonte kështu, pasi nuk kisha asnjë lidhje me askënd dhe se nuk po bëja ndonjë marrëzi kundër vendit tim. Por gjithsesi ajo këtu e vuri theksin te Sigurimi. Më mbrapa kuptova që ata e njihnin vendin tonë dhe Sigurimin e tij më shumë se ç'mund ta njihja unë, 18-vjeçari i asaj kohe, që nuk dija se çfarë ndodhte dhe përse ndodhte kjo apo ajo ngjarje në kryeqytetin tim.
Prindërit e tu, e mësuan?
Takimi me të ëmën nuk ishte zyrtarizim i lidhjes, kështu që edhe prindërit e mi akoma nuk e kishin mësuar. Kjo ndodhi shumë më mbrapa si takova mamanë, Enzën.
Pse, kur e zyrtarizuat?
Kur takuam babain e Karlës, Xhuzepen. Kjo ndodhi më shumë se pesë muaj më vonë si takuam mamanë. Atëherë unë i tregova dhe familjes dhe pas kësaj daljet tona u bënë normale, aq sa dilnim në shëtitje në bulevard, ku na shikonin të gjithë, madje shumë shokë e shoqe të mitë ndalonin hapin, duke i thënë njëri-tjetrit që, "po kalon Nesti, shiko". Jo vetëm kaq, por dalja jonë në bulevard kur unë isha i veshur me xhinse dhe atlete ADIDAS, apo me bluzë të jashtme bënte shumë figurë, aq sa të gjithë ata që shkëmbenim në bulevard ndalonin hapat dhe na vërenin me shumë kujdes dhe jo pak të çuditur, ashtu si brezi im që më shikonte me shumë simpati. Por, ku ta dija unë se kjo përbënte një herezi për sistemin dhe se një veprim i tillë kishte shkelur vijat e bardha të qarkullimit të qytetarit shqiptar, gjë që do të më çonte pa hezitim në qelitë e tmerrshme të 313-ës së llahtarshme.
Juve, shkonit në ambasadë?
Po, pasi takova babain e saj, që u bë ndërkohë dhe imi. Pas kësaj u zyrtarizua çdo gjë. Thashë që kishte kaluar plot 5 muaj nga dita që kisha takuar të ëmën e saj, kur do të takohesha me të atin. Atëherë unë kam mësuar se ai ishte pikërisht ambasadori i Italisë në vendin tonë. Takimi u bë në ambasadë, sepse më ftuan në shtëpi. Ai ishte shumë zyrtar. Mbaj mend që më tha:
- Bëj kujdes bir, se ti i njeh komunistët.
Unë i thashë"
- Nuk kam pse të kem frikë, se s'po bëj ndonjë gjë të keqe ndaj vendit tim.
Ju, gjatë kësaj kohe që s'kishit takuar babain e saj, takoheshit rregullisht, apo jo?
Patjetër që takoheshim. Çdo ditë, dhe madje rrinim deri në mesnatë. Por pas kësaj unë u bëra si i shtëpisë dhe në ambasadë, ku hyja dhe dilja pa problem, kur të doja dhe si të doja.
Pas takimit me babain e saj ishte pikërisht edhe momenti që unë e bëra prezente ngjarjen edhe në familjen time. Pas kësaj erdhi dhe Karla te prindërit e mi, gjë që filloi ta bënte të përditshme. Por këtu ka një tjetër histori brilante, pasi ajo do të hutohej për mënyrën si gatuanim dhe mjetet me të cilat gatuanim, apo kur pa që s'kishim lavatriçe apo frigorifer, të cilat erdhën nga ambasada me kamionçinën karakteristike të saj. Ardhja e pajisjeve elektronike në shtëpi bëri një zhurmë akoma më të madhe në Tiranë, saqë kur po shkarkoheshin nga kamionçina e ambasadës, u grumbulluan shumë njerëz tek hyrja e pallatit, të cilët shikonin me zili. Jo vetëm kaq, por më mbrapa do të fillonin të na vizitonin komshinj dhe të njohur që të shikonin pak pultin, se nuk kishin parë ndonjëherë televizor me ngjyra, aq më shumë me pult.
(Vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›